Boris Johnson mbajti takimin e parë me kabinetin e ri, përpara adresimit si kryeministër në Dhomën e Komunëve. Shefi i qeverisë së re u dha role kryesore figurave që mbështetën Brexit. Më shumë se gjysma e kabinetit të Theresa May, duke përfshirë edhe Jeremy Hunt rivalin e kryeministrit Johnson, u larguan ose u shkarkuan.
Dominic Raab dhe Priti Patel rikthehen në ekzekutivin britanik si ministër i Jashtëm dhe i Brendshëm. Sajid Javid u emërua në postin e Kancelarit të Financave, pasi më shumë se gjysma e kabinetit të vjetër të Theresa May dhanë dorëheqjen ose u shkarkuan.
“Ne jemi të përkushtuar, të gjithë ne, të largohemi nga Bashkimi Europian më 31 tetor, ose më përpara, nuk ka nëse apo por. Megjithatë nuk do të presim deri më 31 tetor për të nisur një agjendë fantastike për vendin tonë dhe kjo nënkupton përmbushjen e prioriteteve për qytetarët”, tha kryeministri Johnson.
Pavarësisht emërimeve të reja, përçarjet brenda Partisë Konservatore janë të dukshme. Ish-sekretari i Punëve të Jashtme, Jeremy Hunt zbuloi se i është ofruar një rol alternative në kabinetin e Johnson, por të cilin e refuzoi. Gjithashtu përçarja është reflektuar edhe tek qytetarët britanikë, që presin kaos në temën Brexit, për shkak të qëndrimeve të njohura të kryeministrit Johnson. /Klan Macedoni/