close

KALLËZIM PENAL PËR ISH-KRYETARIN E GJYKATËS PENALE

Është ngritur kallëzim penal për ish-kryetarin e Gjykatës penale Shkupi 1, për keqpërdorim të sistemit kompjuterik gjatë shpërndarjes së pothuajse 50 lëndëve gjyqësore, në periudhën midis vitit 2013 dhe 2016. Në këtë periudhë kryetar i gjykatës ishte Vlladimir Pançevski, gjyqtari i cili u dënua për mobing dhe i njohur si njeriu që lëndët gjyqësore për figurat e larta i shpërndante te gjyqtarët tjerë.

Kallëzimi penal, i ngritur nga Prokuroria Themelore Publike, bazohet në fakte për keqpërdorim të sistemit AKMIS, për shpërndarjen elektronike të lëndëve gjyqësore, në periudhë prej tre viteve. I akuzuari, me nënshkrimin e tij dhe urdhëra verbal të punësuarve që kanë pasur qasje në sistemin AKMIS, u ka urdhëruar t’i shpërndajnë lëndët te gjyqtarë të caktuar, pa respektim të radhitjes së paraparë. Duke i tejkaluar autorizimet e tij i ka shkelur të drejtat e personave të tjerë, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për udhëheqje të lëndëve gjyqësore dhe në kundërshtim me Ligjin për Gjykata.

Në periudhën nga 23 janari i vitit 2013 deri më 14 shtator 2016, i akuzuari ka urdhëruar shpërndarjen te gjyqtarë të caktuar: katër  lëndë nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup, dy të dorëzuara nga gjykatat në Negotinë dhe Kumanovë, 41 lëndë të ngritura nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe 2 aktakuza nga PSP-ja.

Kallëzimi penal bazohet në gjetjet e Raportit nga mbikëqyrja e kryer në punën e sistemit AKMIS, i cili vitin e kaluar u deklasifikua, por edhe në hetimet voluminoze dhe marrjes në pyetje të të punësuarve në Gjykatën Penale dhe gjykatat tjera. Në peridhën e lartpërmendur, kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 1 ishte Vlladimir Pançevski, gjykatës i cili disa herë ishte cilësuar si i afërt me partitë në pushtet gjatë qeverisjes së kaluar në Maqedoni.

Pançevski në vitin 2017 ishte gjykatësi i parë i dënuar për mobing – përkatësisht për përjashtime të pabaza nga puna, dënime dhe zhvendosje të gjykatësve tjerë, gjatë kohës kur ishte kryetar i Gjykatës Penale në Shkup. Në media u përshkrua si “milioneri midis gjykatësve, ose gjykatësi midis milionerëve”, duke sugjeruar në faktin se lidhjet politike i sollën pasuri të madhe materiale. /Klan Macedoni/

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!