Kënga Magjike, Marsela Çibukaj fituese / Ja të gjithë fituesit e mbrëmjes finale

Marsela Çibukaj është fituesja e edicionit të 23-të të festivalit “Kënga Magjike” në Tv Klan. Alban Ramosaj, fituesi i edicionit të kaluar dhe Pirro Çako i dorëzuan kupën triumfueses e cila konkurroi me këngën “I paftuar”.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250

Pas 3 mbrëmjesh gare, në skenën e Pallatit të Koncerteve mbrëmjen e kësaj të shtune, në këtë Grand International Final u ngjitën 23 artistë, 13 shqiptarë dhe 10 të huaj.

Veç çmimit të madh u dhanë çmime edhe për muzikën më të mirë shqiptare, të huaj dhe për artistët e rinj më të mirë.

Në këtë mbrëmje finale nuk munguan të ftuarit surprizë, si kryetari i Bashkisë së Neë York, Eric Adams apo producenti i famshëm amerikan Angelo Doc Velasquez. Ndërsa një performancë speciale përcolli edhe vajza e Ardit Gjebreas, Anna Gjebrea.

Marsela Çibukaj fiton “Big Artist”

Këtë vit në “Kënga Magjike” në Tv Klan janë shpallur më shumë artistë të kategorisë “Big” se në çdo vit tjetër. Ndaj, gara për çmimin e artistit më të mirë shqiptar është mjaft e fortë edhe për bashkëngjitjen e emrave të rinj.

Për të lajmëruar fituesin e kategorisë “Big Artist”, vjen anëtarja e jurisë Ema Andrea. Çmimi “Big Artist” i akordohet Marsela Çibukajt, e cila konkurroi me këngën “I paftuar”.

“Faleminderit të gjithëve. Jemi mbushur me emocione gjatë këtyre netëve, kjo është një skenë magjike. U munduam së bashku me trupën e baletit e ardhur nga Italia, së bashku me Alban Ramosajn i cili është autori i këngës, orkestrimi i Darko Dimitrov & Marko Polo, që të sillnin pak magji në këtë skenë magjike. Faleminderit të gjithëve ju që na dhuroni po aq magji dhe dashuri”, tha Marsela Çibukaj.

Le Deva, grupi energjik i vajzave nga Italia ‘rrëmben’ “Big International”

Jonida Maliqi, artistja shumë dimensionale që është anëtare e jurisë në “Kënga Magjike”, dorëzon për herë të parë çmimin e artistit më të mirë ndërkombëtar. Nderi për të patur kupën e “Big International” i përket kuartetit të vajzave nga Italia, Le Deva.

“Faleminderit shumë, faleminderit për këtë eksperiencë të mrekullueshme këtu në Tiranë. Duam të falenderojmë të gjithë ata që besuan tek ne në Itali”, thanë vajzat mes emocioneve.

Mamagama, grupi nga Azerbajxhani fiton kupën e “Best New International”

Anëtarja e jurisë së “Kënga Magjike” në Tv Klan e njohur si “zonja e hekurt”, Anxhela Faber dorëzon kupën e artistit të ri më të mirë ndërkombëtar. “Best New International” shkon për grupin Mamagama nga Azerbajxhani.

“Ju falenderoj të gjithëve, faleminderit për energjinë, jam shumë i lumtur”, tha artisti nga Azerbjaxhani.

Martin Pano fiton “Best New Artist” në “Kënga Magjike”

Kozeta Kurti, anëtarja e jurisë së “Kënga Magjike” në Tv Klan prezantoi çmimin për artistin më të mirë të ri. “Best New Artist” i edicionit të 23-të të festivalit është Martin Pano.

“Sinqerisht nuk di çfarë të them. Ju falenderoj të gjithëve. Falenderoj Adrian Hilën dhe Rozana Radin për këtë këngë që më dhuruan. Falenderoj familjen time, ju dua. Kjo është për ju. Falenderoj publikun për duartrokitjet e pafundme dhe jurinë që besuan tek unë”, tha artisti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share