close

KËRKESË E RE PËR EKSTRADIM TË GRUEVSKIT

Për zbatim të rregullt të sistemit ‘AKMIS’ është i nevojshëm ndryshimi i vetëdijes


Autoritetet maqedonase bëjnë përpjekje të reja ta sjellin në vend ish-kryeministrin e arratisur Nikolla Gruevskin, këtë herë me kërkesë për ekstradim nga Hungaria, në bazë të akuzës kundër tij për pjesëmarrje në hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit 2017. Gruevski, nga ana tjetër, fitoi azil nga Budapesti zyrtar, me pohimin se ka qenë shënjestër e ndjekjes politike në Maqedoni, nuk heq dorë nga reagimet politike, të dukshme të paktën në rrjetet sociale.

Akuza kundër Nikolla Greuvskit, ish-kryeministrit të Maqedonisë dhe kryetar nderi i opozitares VMRO-DPMNE-së, për organizimin e hyrjes së dhunshme në Kuvend para më shumë se dy viteve është baza e dytë për kërkesën e ekstradimit të ri nga Hungaria. Në kërkesën e parë, pas dënimit të shqiptuar dhe dënimit me burg prej dy vitesh për blerjen e veturës së shtrenjtë luksoze, sipas shijes së tij, për qëllime zyrtare, Budapesti zyrtar qëndroi i shurdhër.

“Dosja e plotë nga gjykata dhe prokuroria na arriti në fund të javës së kaluar, kështu që do të dërgohet, nëse jo sot në mëngjes, që të nënshkruhen të gjitha dokumentat e bashkëngjitura. Këtyre ditëve do të dërgohet në Budapest me qëllim të kërkesës për ekstradim për datën 27 prill.”-deklaroi Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë e RMV-së.

Megjithë lëvdatat nga bashkësia ndërkombëtare për ligjet e miratuara për reformat në drejtësi, Deskoska thekson se besimi në sistem do të rikthehet vetëm nëse ato reforma zbatohen. Në këtë drejtim zhvillohen edhe konsultimet për ligj të ri të sistemit AKMIS, përkatësisht shpërndarje kompjuterike e lëndëve gjyqësore, e cila pritet të jetë e drejtë, përkundër praktikës që disa prej tyre të përfundojnë në dorë të gjykatësve “më të mirë”, gjë që e njollosi gjyqësinë në Maqedoni, e cila me vite është vlerësuar si joefikase.

“Sistemi AKMIS në fakt paraqet sistemin e qarkullimit të gjakut dhe zemrën e sistemit gjyqësor në vendin tonë. Nuk mund të mendohet funksionimi, ekzistimi, puna, transparenca, marrja e vendimeve të gjykatave pa sistemin AKMIS.”-shprehet gjykatësi Llazar Nanev.

Pikërisht për keqpërdorimet e këtij “sistemi qarkullimi” po bëhen hetime, të cilat zgjasin pothuajse dy vite. Rezultatet e para sugjerojnë keqpërdorim të rëndë në të kaluarën, ndarjen e lëndëve të caktuara në dorë, dhe lënien anësh të qindra të tjerave. Fakti që raporti ende nuk është bërë publik për opinionin, për ministren Deskoska nuk është diçka e pazakonshme.

“Mos prisni që mrekullitë të ndodhin brenda natës, asnjë procedurë hetimore dhe asnjë proces gjyqësor nuk mbaron shpejt. Kjo megjithatë është në korniza të tolerueshme kohore.”- tha Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë e RMV-së.

Në përmirësimin e 33-të të sistemit AKMIS tani do të kyçet edhe këshilltarja amerikane, e cila sot para gjykatësve dhe sekretarëve të gjykatave theksoi se plotësimi I ligjeve është detyrë më e lehtë

“Sfida para të cilës qëndroni të gjithë, zbatimi dhe mbikëqyrja, transparenca dhe përgjegjësia, e cila mund të ndihmojë në ndryshimin e sjelljes. Veprimet tuaja, lidershipi dhe integriteti janë baza për sukses. Sepse një ligj i plotësuar ose sistem kompjuterik nuk mund ta ndryshojnë vetë sjelljen.” –vlerëson Dajana Palekin, Ambasada e SHBA-ve.

Vlerësimi fillestar pas vendosjes së mbikëqyrjes për zbatimin e sistemit AKMIS në dhjetëra gjykata në Maqedoni, sipas Ministrisë së Drejtësisë tregon rezultate të mira dhe zbatim të tij të drejtë, ndërsa ligjet e reja për gjykatat dhe Këshillin gjyqësor urdhërojnë edhe mekanizma për përgjegjesi të gjykatësve të cilët e anashkalojnë shpërndarjen kompjuterike të lëndëve. /Biljana Georgievska/