close

KËSHILLI I PROKURORËVE I BIND DEPUTETET

Katica Janeva do të shkarkohet


Dhjetë faqet e raportit të Këshillit të Prokurorëve për Katica Janevën, i bindën për më pak se dy orë deputetët se ajo duhet të shkarkohet.
Pa debat dhe me vendim unanim, Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve e aprovoi konkluzionin e Këshillit të Prokurorëve, dhe i propozoi kuvendit që Katica Janeva të shkarkohet.

“Komisioni pa diskutim, me vendim të njëzëshëm, e konfirmoi propozimin që ka ardhur deri tek Kuvendi, që zonja Katica Janeva të shkarkohet nga funksioni Prokuror Publik Special, për shkak të udhëheqjes së Prokurorisë në mënyrë të jashtëligjshme, të pandërgjegjshme dhe jo profesionale.” –tha Ilija Dimovski, Kryetar i Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.

Epilog i tillë pritet edhe në seancën plenare. Sipas paralajmërimeve të dy partive më të mëdha në vend, të gjithë deputetet do të votojnë për shkarkimin e Janevës. E dëshpërimin nga veprimet e saj nuk e fsheh deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

Si person, ajo i dëshpëroi të gjithë që i dhanë përkrahje. E përkrahje ajo pati edhe nga pushteti i atëhershëm, edhe opozita por edhe nga të gjitha subjektet politike, kur u emërua në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.” -tha Muhamed Zekiri i LSDM-së.

Propozimi për shkarkim tanimë është dorëzuar deri tek kryetari i Kuvendit, e ai duhet të caktojë datën e mbajtjes së seancës. Për tu shkarkuar Janeva nevojiten 2/3 të votave, si dhe votimi me badenter. /Furkan Saliu/