close

KËSHILLI I SIGURISË: SITUATA NË VEND – STABILE

Mbahet mbledhja konstituive e Këshillit të Sigurisë së RMV-së


Në Kabinetin e Presidentit të vendit Stevo Pendarovski është mbajtur mbledhja konstituive e Këshillit të Sigurisë. Siç ka deklaruar Presidenti Pendarovski, kjo është mbledhja e parë pas tri viteve të këtij Këshilli, i cili është kategori kushtetuese dhe një organ mjaft i rëndësishëm, por për shkak të mungesës së vullnetit politik, Këshilli ka qenë i margjinalizuar dhe i harruar.

Situata e Sigurisë në vend është stabile. Nuk ka indikatorë as brenda e as jashtë kufijve tanë dhe rajonin më të gjerë që kjo situatë mund të përkeqësohet në nivel të cënimit të integritetit dhe sovranitetit të Maqedonisë së Veriut. Kështu ka deklaruar Presidenti Stevo Pendarovski pas përfundimit të Mbledhjes së parë konstituive të Këshillit të Sigurisë, ku përfaqësuesit e shërbimeve dhe ministrive kompetente kanë referuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajon.

“Nga faktorë me ndikim ndërkombëtarë arrijnë informacione për ringjalljen e mundshme të dialogut Beograd – Prishtinë që mund të ndikojë në situatën e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut kufizohet me dy vende dhe për këtë shkak duhet të jemi të gatshëm për të gjitha varijantet që eventualisht mund të ndodhin në kuadër të këtyre negociatave. Kjo nënkupton që ne ta sqarojmë pozicionin tonë dhe cila zgjidhje do të ishte më pozitive për ne si shtet.” -tha Stevo Pendarovski-President i RMV-së

Në këtë mbledhje, edhepse i ftuar nuk ka marrë pjesë lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski. Presidenti Pendarovski ka thënë se në këtë mbledhje nuk është biseduar për tema private e partiake, por për sigurinë e vendit. Këshillin Kombëtar për Siguri Kombëtare e përbëjnë nëntë anëtarë. Krahas shefit të shtetit, sipas funksionit, anëtarë janë edhe Kryeparlamentari Talat Xhaferi, Kryeministri Zoran Zaev dhe Ministrat e Brendshëm, të Jashtëm e të Mbrojtjes. Me propozim të Presidentit Pendarovski, pjesë e këtij trupi këshilldhënës janë edhe profesori dhe Ministri i parë i Mbrojtjes Trajan Gocevski, profesori në UEJL Veton Latifi dhe profesori i Fakultetit Juridik në Shkup Nenad Markoviq. /Klan Macedoni/