close

KITAROVIQ: BeH KONTROLLOHET NGA ISLAMI MILITANT

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq ka shkaktuar një valë komentesh në Sarajevë për shkak të një deklarate të saj të bërë në Izrael se Bosnjë-Hercegovina është një shtet i paqëndrueshëm i marrë nga njerëz që kanë lidhje me Iranin dhe organizatat terroriste. Në reagime hidhen poshtë pretendimet e tilla, kurse ish-kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, i ka kërkuar falje Bosnjë-Hercegovinës.

Presidentja e Kroacisë e cila ka filluar tashmë garën për një mandat të dytë, gjatë vizitës treditore në Tel Aviv me homologun e saj izraelit Reuven Rivlin, citohet të ketë deklaruar se Bosnjë-Hercegovina është një shtet tejet i paqëndrueshëm i cili në njëfarë mënyrë është marrë nga njerëz të cilët kanë lidhje me Iranin dhe organizatat terroriste, respektivisht se ‘sot është nën kontrollin e islamit militant që është mbizotërues në përcaktimin e qëndrimeve’.

Kualifikmet janë bërë në kontest të trajtimit të çështjeve që lidhen me migrantët me origjinë afrikane, siriane e pakistaneze, një problem ky me të cilin po përballet Bosnja, por edhe Kroacia, në përpjekjet e tyre që përmes këtyre dy republikave ish-jugosllave të kalojnë në Perëndim.

Këto pohime të presidentes kroate, përfaqësuesi i përhershëm i Bosnjë-Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Sven Alkalaj,  i ka cilësuar si  ‘thellësisht shqetësuese dhe përfundimisht të pa sakta’: ‘Presidentes Kolinda Grabar-Kitaroviq nuk i duhet lejuar të trillojë akuza të pabaza kundër fqinjëve të saj,’- ka deklaruar Alkalaj duke folur edhe në cilësinë e pjesëtarit të komunitetit hebraik në Bosnjë-Hercegovinë e cila, sipas tij, ‘është një shtet shumetnik, properëndimor dhe demokratik ndaj të cilit fqinjët edhe sot kanë synime ekspansioniste’. Diplomati i njohur ka thënë se është sidomos irituese që presidentja kroate ka shrfrytëzuar vizitën në Izrael veçmas në kontekst të Holokaustit si vend dhe rast për të shpalosur pohimet e veta të pavërteta.

Kryesuesi i Presidencës boshnjake, kroati Zhelko Komshiq, ndërkaq në një deklaratë përkitazi me vlerësimet e presidentes Kitaroviq citohet të ketë thënë se ‘nuk është Bosnjë-Hercegovina e paqëndrueshme, por fatkeqësisht vet Kolinda Grabar-Kitaroviq’. Ish-kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, i ka kërkuar falje Bosnjës për deklaratën e këtillë të presidentes kroate në largim, kurse intelektuali i njohur kroat, Gradimir Grojer, i cili jeton e vepron në Sarajevë, është shprehur se ‘ndjehet i turpëruar nga deklarata fashizoide’ e Presidentes. /Klan Macedoni/