close

KODRA E DIELLIT: ASH-ELEM-it T’I MERRET E DREJTA E MENAXHIMIT

Nga ELEM-i nuk komentojnë deklaratat e partive politike


Nga ASH – Dega Tetovë, në propozimet drejtuar qeverisë për Kodrën e Diellit, kërkuan që ndërmarrjes ELEM t’i merret e drejta e menaxhimit me këtë qendër turistike, qeveria të formojë këshill drejtues dhe të ndajë buxhet të menjëhershëm. Por, nga ndërmarrja ELEM thonë se janë duke kryer punët e tyre dhe se nuk komentojnë deklaratat e partive politike.

Ndërmarrjes ELEM t’i merret e drejta e menaxhimit me qëllim të thyerjes së status quo-së aktuale dhe të mundësohet zhvillimi ekonomik i Kodrës së Diellit, deklarojnë mes të tjerash nga ASH – dega Tetovë, në propozimin drejtuar qeverisë së Republikës së Maqedonisë për zgjidhjen e çështjes së kësaj qendre turistike. Poashtu, të njëjtit deklarojnë se qeveria duhet të formojë këshill drejtues dhe të ndajë buxhet të menjëhershëm.

Por nga ELEM, të kontaktuar nga Klan Macedonia, deklarojnë se nuk prononcohen për çështjen në fjalë, sepse siç theksuan, thjeshtë bëjnë punën e tyre teknike dhe nuk duan të reagojnë ndaj deklaratave të partive politike, që siç thanë, kanë prapavijë të tjera.   

Nga ASH theksuan se në rast të vazhdimit të kësaj gjendje me Kodrën e Diellit, do të organizohen me banorët e Malësisë së Sharrit dhe qytetarët e Tetovës për të bllokuar rrugën Tetovë – Kodër e Diellit kur do ta vizitojnë qeveritarët dhe deputetët e Maqedonisë. /Blerona Jakupi/