close

KODRA E DIELLIT: SEZONI I RI ME PROBLEME TË VJETRA

“Bukuroshja e Sharrit” ende në gjumë


Fillimisht do te vendosen dy teleferikë, pastaj të ndërtohet garazhë me kate ku në fazen e parë parashihen investime nga 15-20 milionë euro ku kapaciteti i kesaj “mega qendre “ do të rritet deri më 15 mijë vizitorë në ditë. Nuk është dëshirë e vitit të ri, por premtim i ELEM për Kodrën e Diellit që nga viti 2015.

ELEM TURS me veprimtarinë e saj, siç thuhet , në fushën e turizmit, hotelierisë, rekreacionit dhe sportit, më saktësisht krijimin dhe shitjen e prodhimeve turistike që do të jenë pjesë e ofertës kombëtare dhe rajonale duke paralajmëruar fillimin e sezonit të skijimit në Kodrën e Diellit, përmes një komunikate, njofton se kjo qendër skijimi është plotësisht e përgatitur.

“Janë ndërmarrë përgatitjet teknike dhe aktivitetet për fillim dhe mbarëvajtje të sezonit të ri të skijimit, është bërë shenjimi i shtigjeve ekzistuese, ndërsa terrenet e skijimit janë përgatitur me ndihmë të makinave për përgatitje të shtigjeve të skijimit. Për skijimin në funksion do të vendoset teleferiku– „Ceripashina“ dhe ski-lifti „Aerodrom“ dhe „Ge“. Kapaciteti i tyre përfshin rreth 1800 skijues në orë.” – thanë nga ELEM TURS .

Megjithatë, në terren situata është ndryshe. Vizitorët ankohen për sjellje përbuzëse ndaj kësaj qendre turistike, nuk funksionojnë të gjithë ski-liftet, kurse skiatorët janë të detyruar që në këmbë të ngjiten shtigjeve të skijimit…

Premtimet për revitalizimin apo më mirë thënë investime në këtë qendër turistike, datojnë qysh në vitin 2015 kur u premtua se kjo qendër turistike do të shndërrohet, sic u tha, në Mega Qendër.

“Në vitin 2015 u premtua lifti i famshëm me 6 ulëse me gjatësi prej 1420 m dhe kapacitet për transportin e 2400 skiatoreve në orë. U parapa të vendoset në funksion në vitin 2016/2017, sot jemi 2019 dhe i nëejti nuk është funksional.”

“Premtimet vazhduan me parkingun disa katësh me kapacitet prej 350 automjetesh, ndriçim, rrugë të qasshme, ndërtim të sistemit artificial të deborës gjegjësisht rikthimin e Kodrës së Diellit në një “Mega Qendër Skijimi.”

Nga Iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” kanë ripërsëritur thirrjet që kjo qendër përfundimisht të mirëmbahet dhe të pastrohen deponitë e egra.

Në kuadër të premtimeve të 2015-tës prashihej ndërtimi i SPA QENDRËS në Hotel Slavia me një kategorizim prej 4 yjesh e cila do t’ju ofroj turistëve komoditet. Megjithatë sot kjo qendër funksionon vetëm në saj të disa bizneseve private.

Momentalisht ski liftet në Kodrën e Diellit kanë kapacitet që të transportojnë vetem 1750 skiatore në orë. Kjo qendër posedon 14 shtigje për skijim që jo gjithmonë janë funksionale si rezultat i amortizimit te ski-lifteve. /Artina Zeqiri/