close

KOMISIONI EVROPIAN JEP DRITËN JESHILE PËR FILLIM TË NEGOCIATAVE

Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në. Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, e deklaroi këtë rekomandim sot para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, ku prezantoi progres-raportet për vendet e Ballkanit dhe Turqinë. Sipas tij, me Marrëveshjen e Prespës dhe Traktatin e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut është shembull i ndritshëm për vendet e tjera të rajonit. Maqedonia dhe Shqipëria, tha Hahn, kanë bërë përparime në zbatimin e reformave, prandaj edhe kërkohet fillimi i negociatave për anëtarësim.

Ky progres-raport i Komisionit Evropian i paraprin vendimit të samitit të 20 dhe 21 qershorit në Bruksel, për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Korrespondentja e Klan Maqedoni në Bruksel, Erisa Zykaj, rikujton se javë më parë Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn dhe shefja e politikës së Jashtme të BE-së,  Federica Mogherini kishin deklaruar se Shkupi dhe Tirana i kanë përmbushur kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim me të drejta të plota në familjen evropiane./ Klan Macedonia/