Pas marrjes së kompetencave në sferën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve nga ana e ministrit të Arsimit për të dytën herë dhe vazhdimësisë së këtij vendimi politik, komuna e Gostivarit ditën e sotme ka reaguar sërish.
Komuna e Gostivarit, marrjen e kompetencave në arsim e ka cilësuar si një skandal në vazhdën e të gjitha skandaleve që burojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nga kjo komunë deklaruan se për këtë, gjykimin ia lënë vetë qytetarëve, ndërsa dokumentacioni respektiv do të dërgohet deri te Komisioni anti-korrupsion për konstatimin e kësaj parregullsie.
‘Imagjinoni, në mes të fushatës zgjedhore, ministri ia lejon vetes luksin që të shkarkojë drejtorët e emëruar nga ana e kryetarit të komunës dhe sjell vendim për kthimin e drejtorëve të vjetër partiakë. Ky ministër prej kur e ka marrë postin, preokupim kryesor e ka vetëm Gostivarin, por, në aspekt tjetër. Është bërë famoz me marrjen e kompetencave në komunën e vetme urbane në këtë shtet, që nuk është nën udhëheqjen e pushtetit aktual.’ – tha Aslian Snopçe – Komuna e Gostivarit.
Nga komuna e Gostivarit siç theksuan, kërkojnë që ministri i Arsimit të merret me problemet e shumta që e kanë mbuluar sferën e arsimit dhe ta lë të qetë komunën e Gostivarit.
‘Në vend që të merret me sigurimin e mësimit në gjuhën shqipe gjë që është e garantuar me ligj; në vend që të merret me përmirësimin e teksteve shkollore ku ende shqiptarët figurojnë si popull i zbritur nga malet, ku në tekstet shkollore të muzikës të gjitha këngët janë në gjuhën maqedonase; në vend që të merret me eliminimin e tenderëve në katër sy që bëhen në ministrinë e tij; në vend që të merret me rritjen e kualitetit të Universiteteve shqiptare; në vend që të merret me zbulimin e skandaleve me diplomat nëpër Universitete; në vend që të merret me rritjen e fondeve investuese në sferat hulumtuese ku Maqedonia e zë vendin e fundit në rajon.’ – deklaroi Aslian Snopçe – Komuna e Gostivarit.
Ndërkaq, nga MASH kanë reaguar duke thënë se, MASH-i është institucion që nuk vepron në mënyrë arbitrare dhe sipas vullnetit të individëve, por vepron vetëm në përputhje me Ligjin dhe respektimin e dispozitave ligjore në vend.
‘Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e obliguar t’i respektojë vendimet e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë për Marrëdhënie Pune në Shkallën e Dytë dhe të veprojë konform të njëjtave, që do të thotë se vendimi i marrë është veprim në përputhje me vendimin e Komisionit të Shkallës së Dytë. Edhe një herë i bëjmë thirrje Komunës së Gostivarit, kryetarit të kësaj komune dhe udhëheqjes së saj që të mos akuzojnë me hamendësime dhe në mënyrë të rrejshme vetëm për qëllimet e tyre politike dhe të mos e përfshijnë politikën në procesin edukativo-arsimor, sepse në këtë situatë të krijuar dëm u shkaktohet vetëm nxënësve dhe procesit edukativo-arsimor.’ -thonë nga MASH.
Ndryshe, brenda një viti Ministria e Arsimit dhe Shkencës ia mori dy herë kompetencat në arsim në sferën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve komunës së Gostivarit. /Blerona Jakupi/