‘Komunitetet kundër ekstremizmit të dhunshëm’ është projekti i realizuar nëpërmjet një punëtorie kreative në shkollën ‘Liria’ në Tetovë. Fëmijët patën mundësi që nëpërmjet pikturave të shpërndajnë mesazhe paqeje dhe barazie për të gjithë.
Nëpërmjet pikturave individuale dhe të përbashkëta nxënësit e shkollës ‘Liria’ në Tetovë, dhanë mesazhe për paqe dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm. Këtë e realizuan në kuadër të punëtorisë kreative ‘Sëbashku kundër dhunës’ të organizuar nga organizata qytetare CIVIL. Xhabir Deralla nga kjo organizatë thekson se ekstremizmi i dhunshëm nuk është një temë e panjohur, por është siç shprehet ai, pjesë e përditshme e qytetarëve të cilët jetojnë në një shtet të përbashkët.
‘Kjo nuk është temë e panjohur, por është pjesë e përditshme e qytetarëve të cilët jetojnë në një shtet të përbashkët. Përmes dialogut dhe punëtorive kreative si masë për krijimin e sistemit të vlerave, mundohemi që të eliminojmë rreziqet që iu kanosen fëmijëve. Nënkuptohet, ky është vetëm një angazhim i yni, por MPB-ja dhe Policia nuk janë segmentet e vetme në shtet që duhet të merren me këtë problematikë. Të gjithë bashkë, duhet ta bëjmë këtë.’- tha Xhabir Derralla-CIVIL.
I pyetur rreth asaj se a janë hasur raste të ekstremizmit të dhunshëm nëpër shkolla, Deralla e mohon një gjë të tillë. Dhe, siç sqaron më tej, ai deklaron se ekzistojnë dukuri të tjera devijante dhe prandaj ky projekt realizohet me qëllim që të largojë tendencat negative që mund të krijohen mes komuniteteve.
‘Për ekstremizmin e dhunshëm nuk mund të themi se është i pranishëm nëpër shkolla. Ekzistojnë dukuri të caktuara devijante siç janë: dhuna mes nxënësve, por kjo gjë nuk mund të llogaritet ekstremizëm i dhunshëm. Punëtoritë i organizojmë nëpër shkolla sepse pikërisht aty bëhet ngjizja e dhunës potenciale dhe ekstremizmit te qytetarët. Edhe në shoqëri vërehen tendenca për rritjen e ekstremizmit të dhunshëm.’ –deklaroi Xhabir Derralla-CIVIL.
Përveç në Tetovë, projekti ‘Komunitetet kundër ekstremizmit të dhunshëm’ është realizuar edhe nëpër shumë qytete të tjera të vendit, ku fëmijët dhe të rinjtë përveç talentit në pikturë kanë shfaqur edhe mesazhe paqeje dhe barazie. /Blerona Jakupi/