close

KONFERENCË: LAJMET E RREJSHME DHE MARRËVESHJA E PRESPËS

‘Lajme të rrejshme rreth Marrëveshjes së Prespës’ ishte konferenca e mbajtur në Athinë ku të pranishëm ishin edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damijan Mançevski dhe ministri Robert Popovski, i ngarkuar për çështjet e komunikimit, llogaridhënies dhe transparencës. Në konferencë u theksua se prej 1 prillit të vitit 2018 deri më 15 mars 2019 janë publikuar një sërë artikujsh të cilat kanë pasur për qëllim dezinformimin rreth Marrëveshjes së Prespës.

Ministrat theksuan se konferenca e përbashkët është një konfirmim i miqësisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, si rezultat i Marrëveshjes së Prespës. Lajmet e rrejshme dhe dezinformatat mund të luftohen vetëm me të vërtetën – u tha në këtë konferencë.

‘Ky është një sukses i dy qeverive, qeveria e udhëhequr nga Tsipras dhe qeveria e udhëhequr nga Zaev, të cilët me sukses arritën që të tejkalojnë problemet. Qëllimi ynë është që të bëjmë një urë për bashkëpunim me informata neutrale dhe të sakta. Ne do ta arrijmë këtë së bashku. Ne duhet të rivendosim besimin, veçanërisht pas suksesit të madh që kemi arritur. Mjeti ynë i përbashkët është e vërteta.’ –tha Nikos Papas – Ministër për Politikë Digjitale – Greqi

Mançevski tha se rruga për të kapërcyer problemin e një dekade të gjatë midis dy vendeve nuk ishte e lehtë dhe lajmet e rreme ishin një mjet i fuqishëm për armiqtë e Marrëveshjes së Prespës.

‘Lajmet e rreme dhe propaganda digjitale gjithmonë kanë pasur për qëllim të manipulojnë me frikën e fshehur dhe instinktet themelore të qytetarëve. Ata gjithmonë transmetojnë mesazhe nacionaliste, të ndarjes, luftës, konflikteve, urrejtjes dhe çështjeve etnike. Siç ishte rasti edhe me lajmet e rreme lidhur me Marrëveshjen e Prespës. Forma kryesore e manipulimit të medias ishte me “raportim jo të plotë”, ose qëllimisht nuk informohej prandaj për këtë fakt faqja e qeverisë menjëherë pas nënshkrimit botoi tekstin origjinal të Marrëveshjes.’ –shprehet Damjan Mançevski – Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Siç u tha në këtë konferencë, në periudhën prej 1 prillit të vitit 2018 deri më 15 mars 2019 janë publikuar gjithsej 35,261 artikuj në gjuhën maqedonase dhe 13,995 në gjuhën shqipe. Analizat tregojnë se mesatarisht 10% e këtyre artikujve llogariten si informata që kanë pasur për qëllim jo informimin e publikut, por synonin të paraqesin informacione të pasakta si fakte. /Blerona Jakupi/