close

KONSENSUS PËR STATUSIN E PSP-së

Ligji i ri për Prokurorinë Publike sot duhet të kalojë në seancën qeveritare dhe do t`i dorëzohet Kuvendit, ku do të duhen 80 vota që të sillet zgjidhja ligjore me të cilën do të zgjidhet fati i PSP-së.

Kryeministri Zoran Zaev sot paralajmëroi se përkrahje për Ligjin e PSP-së, do të kërkojë edhe nga VMRO-DPMNE-ja, nga grupi i pavarur i deputetëve që u shkëputën nga kjo parti, por edhe nga partitë opozitare shqiptare.

“Pas debatit të ekspertëve, bisedimeve brenda në qeveri dhe me partnerët e koalicionit, kjo fazë është harmonizuar dhe tejkaluar, që do të thotë se, pasi ka kaluar në qeveri hyn në debat parlamentar ku do të vazhdojmë, së pari të bisedojmë me partinë më të madhe të opozitës, grupin e pavarur të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, do të bisedohet edhe me partitë e opozitës shqiptare, e më pas do të hyjë për debat në komisionet. Unë pres që për këtë ligj, do të ketë dhe duhet të ketë konsenus, për shkak se Prokuroria Publike është miratuar me konsensus. Ka pritje të ndryshme, por rendi është se kur bashkë e kemi themeluar, t`i japim edhe kahjen.” –tha Kryeministri Zoran Zaev.

Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së lidhur me PSP-në është i qartë. Mes tjerash ata kundërshtojnë që “bombat” të jenë dëshmi duke kërkuar që Katica Janeva mos ta udhëheqë këtë prokurori. Nga opozita edhe sot janë përgjigjur nëse do ta përkrahin ligjin për Prokurorinë Publike.

“Ligji duhet të shkojë në Kuvend dhe atëherë do ta shohim. Ekpertët tanë juridik duhet ta shohin këtë ligj dhe do të dalim me qëndrime. Deri më tani e dimë se PSP-ja ishte instrument për shantazhe dhe ndjekje politike, kështu që nuk dyshojmë se edhe mëtutje do të jetë njëjtë. Megjithatë, ekspertët tanë ta shohin ligjin, të bisedohet për të në trupat partiake më pas do të dalim me qëndrim përfundimtar.” -shprehet Dimçe Arsovski VMRO DPMNE.

Shumica prej dy të tretave ende nuk është siguruar. Tash për tash të sigurta janë votat e LSDM-së, por edhe të BDI-së që i kanë dhënë dritë jeshile këtij ligji.

Nga Grupi i pavarur i tetë deputetëve kanë thënë se nuk ka arsye të mos e shqyrtojnë ligjin, por nuk duan ta komentojnë derisa nuk arrinë në Kuvend. Ndërkaq, siç njoftohet, gjatë takimeve të diplomatit amerikan Filip Riker në Shkup, ai bashkëbiseduesve ua ka tërhequr vërejtjen se nga e ardhmja e PSP-së do të varet edhe ratifikimi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. /Klan Maqedoni/