Pushteti dhe opozita më në fund vendosin bashkë
Katër ligjet që kanë të bëjnë me reformën e shërbimeve sekrete, u votuan me konsensus të plotë nga të gjitha partitë. Deputeti i VMRO DPMNE-së Emill Dimitriev që mbikëqyre edhe punën e Agjencisë për siguri kombëtare, përshëndeti votimin e ligjeve nga sfera e sigurisë me të cilët do të rregullohet themelimi i Agjencisë për siguri kombëtare dhe trupit Koordinativ për siguri.
Sipas Dimitrievit, ka mundur të bëhet edhe më shumë, por edhe me këtë zgjidhje ligjore do të bëhen reforma të mjaftueshme. I pyetur për të punësuarit e tanishëm në DSK të cilët edhe pse nuk do të kalojnë testin e sigurisë, do të vazhdojnë të punojnë në institucione të tjera, Dimitriev thotë se ata nuk duhet dënuar përse nuk kanë çertifikatë sigurie, pasi mund të punojnë diku tjetër ku nuk kanë punë me informacione të klasifikuara.
“Nëse ndonjë kandidat nuk arrin të kalojë testin e sigurisë, nuk do të thotë se ai ka shkelur ligjet e tjera dhe se nuk është i denjë për të ushtruar ndonjë funksion tjetër në ndonjë institucion tjetër. Në Maqedoni ekzistojnë njerëz në funksione që nuk kanë certifikata sigurie, dhe nuk ka logjikë që kjo të jetë pengesë që të ekzistoni, ose punoni në drejtori, dhe kjo të vlejë vetëm për të punësuarit e thjeshtë e jo edhe për funksionarët. Këta njerëz mund të punojnë në institucione ku nuk kërkohen certifikatë sigurie, ku nuk kanë punë me informata të klasifikuara. Mendoj se Maqedonia pas 30 vitesh me një mori reformash ku është koha të merr përgjegjësi për njerëzi që i kanë mbajtur këto institucione në shpinë, t’u japë shans për ekzistencë. Si punuan gjatë këtyre viteve këta persona. Çfarë i pengoi eprorët e tyre që i pastrojnë deri më tani” –tha Emil Dimitriev, Deputet i VMRO-së.
Dimitriev kujtoi se ndryshim shtesë në ligj është edhe se të gjithë të punësuarit në Agjencinë për siguri kombëtare të cilët do të refuzojnë të bëjnë testin e poligrafit, do të dëbohen nga puna me automatizëm. Ai e përjashtoi mundësinë për keqpërdorim të kësaj metode për dëbim të personave të padëshiruar për eprorët.
Deputeti i LSDM-së Hari Llokvenec nga ana tjetër, është krenar që ligjet kaluan me debat të brendshëm në LSDM, mes Frosina Remenskit dhe Oliver Spasovskit që sipas tij, dëshmon për nivelin e demokracisë.
“Në këtë ligj e dhanë nënshkrimin dy nënkryetarët e LSDM-së, a nuk mendoni se ky është kulmi i demokracisë. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë? Mendimet ndryshe në atmosferë demokratike janë diçka që të gjithë duhet t’i përkrahim…Konsultimi i gjerë nëpërmjet debateve, ekspertëve dhe OJQ-ve dhe ndërkombëtarëve dëshmon se qasja ndaj këtij ligji ka qenë e drejtë dhe sjellja e këtij ligji në atmosferë konsensuale do të sjellë shumë përfitime.” -shprehet Hari LLokvenec, LSDM.
Të dy përfaqësuesit e partive më të mëdha, në pushtet dhe opozitë siguruan se do të garantohen të drejtat e njeriut dhe privatësia, do krijohen parakushte për mekanizëm të fortë për luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera globale të sigurisë. /Furkan Saliu/