close

KOSOVA ME PLATFORMË TË RE PËR BISEDIMET ME SERBINË?

QËNDRIMI NDAJ SAJ ME PASOJA PËR PËRFUNDIMIN E SHTETBËRJES

Dy bashkëkryetarët e delegacionit shtetëror të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, kanë qëndruar në Bruksel në një takim me përfaqësues të zyrës së ndërmjetësueses së dialogut Federica Mogherini. Me këtë rast janë diskutuar modalitetet e dialogut me Serbinë. Televizioni Klan, ndërkaq meson nga burime të afërta me autoritetet në Prishtinë se pala kosovare këto ditë do të shqyrtojë një platformë të re për negociatat me Beogradin, dokument ky për hartimin e të cilit janë angazhuar edhe ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë.


Presidenti slloven Borut Pahor gjatë një vizite zyrtare në Beograd, të hënën, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe idenë për korrigjim të kufijve, të plasuar fillimisht nga presidenti Hashim Thaçi, ka tërhequr vërejtjen se kjo punë kërkon shumë mençuri: ‘Procesi nuk mund të sjellë dëme kolaterale për vendet e tjera në rajon. Është një mendim shumë i guximshëm, nuk do ta hidhja poshtë, por që do të isha shumë i kujdesshëm lidhur me këtë çështje,’- citohet  të ketë deklaruar presidenti slloven. Një shqetësim i këtillë, më shumë se kudo është i pranishëm në skenën politike kosovare dhe, besa jo vetëm kosovare. Përplasjet mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, nuk kanë lënë anash as Tiranën pozitare e opozitare, por edhe Bosnjë e Hercegovinën e pse jo edhe Maqedoninë fqinje. Kjo për shkak se as Presidenti Kosovar e as ai serb, Aleksandar Vuçiq, deri tani nuk kanë dhënë ndonjë hollësi të kapshme se si e mendojnë këtë korrigjim kufijsh që për pasojë ka pasur edhe spekulime të tipit – do të ketë shkëmbim territoresh, por edhe të popullsisë apo edhe se nuk do të jetë i largët një bashkim i Kosovës me Shqipërinë.

Sidoqoftë, sikurse mëson TV Klan, pala kosovare këto ditë po rrumbullakon një platformë negociatash për hartimin e së cilës janë angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë. Diskutimi dhe miratimi i saj nga të gjitha spektret e skenës politike kosovare mbase do të sheshonte kundërshtitë aktuale. Në të kundërtën, vonesat në përfundimin e shtetbërjes së Kosovës vetëm se do të thelloheshin, por të presim e të shohim!