close

KOSOVË: RETORIKË E ASHPËR PARAZGJEDHORE

Pas duelit televiziv – debatin e mbyllin grushtat!


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se për zgjedhjet e parakohshme të gjashtë tetorit janë regjistruar njëzetepesë subjekte politike, nga të cilat 20 parti e katër koalicione si dhe një kandidat i pavarur. Ndonëse fillimi i fushatës është caktuar për 25 shtator, partitë politike qysh tani lënë të kuptohet se ajo ka për të qenë – tepër e nxehte. Mbrëmë, retorika në një debat të drejtpërdrejtë televiziv, pas përfundimit, është zëvendësuar me qërrim fizik të hesapeve.

Katër kandidatë për postin e ekzekutivit të ri të Kosovës, gjithsej një mijë e shtatëdhjetë për legjislaturën e re të shtetit më të ri të Kontinentit të vjetër prej 120 vendesh, janë tregues se do të jemi dëshmitarë të një gareje të ashpër për të siguruar besimin e rreth dy milionë qytetarëve me të drejtë vote. Raportet nga Prishtina flasin se ndonëse zyrtarisht fushata nuk ka nisur, deri tani kryeprotagonistë të paraqitjeve mediatike janë bërë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Socialdemokrate. Bërthamën e kësaj të fundit, sikurse dihet e përbën një grup që vitin e kaluar u shkëput nga partia e Albin Kurtit dhe, për pasojë, hasmëritë e krijuara nuk i fshehin as sot. Teleshikuesit kanë qenë dëshmitarë të akuzave të rënda. Nisi në KTV mes Valdrin Ametit të Vetëvendosjes dhe Frashër Krasniqit të PSD-së.

Po, asgjë nuk u mor vesh- për shkak se oratorët u vendosën në rolin e zhurmuesit, por përplasjet ishin më të artikuluara në televizionin kabllovik, T7 mes Haki Abazit, një prurje e re në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe Dardan Molliqajt nga radhët e socialdemokratëve.

Raportohet se pas përfundimit të emisionit Pressing, Abazi dhe Molliqaj i kishin qërruar fizikisht hesapet. Incidentin e ka konfirmuar edhe policia e Kosovës e cila tha se po punonte për zbardhjen e rastit. /Klan Macedonia/