Organizatat e Shoqërisë Civile kanë protestuar kundër projektligjit për financimin e subjekteve politike. Sipas tyre ky projektligj si i tillë zvogëlon mbikëqyrjen dhe konrollin mbi financat e subjekteve politike.
Organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të kundërshtojnë Projektligjin për financim të subjekteve politike. Në protestën e organizuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se miratimi i një ligji të tillë nga Kuvendi do të thotë kundërshtim i të gjitha standardeve ndërkombëtare për financimin e subjekteve.
“Ne organizatat e shoqërisë civile kemi vendosur që ta bojkotojmë punën në këtë grup këshillues, përderisa Qeveria apo Kuvendi i Kosovës nuk e tërheqë këtë projektligj për financimin e subjekteve politike në Kosovë.” – thotë Valmir Ismaili, Përfaqësues i shoqërisë civile.
Ismajli tha se do të vazhdojnë takimet me akterë politik dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të marrin vendim për hapat e mëtejmë. Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i ka bërë thirrje shoqërisë civile të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në Komisionin Parlamentar për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.
Sipas Hotit, pa mbështetjen e tyre dhe pa pjesëmarrjen e tyre, nuk mund të ketë përmirësim në procesin zgjedhor në Kosovë. Ditë më parë këto organizata në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare kanë organizuar një aksion simbolik ku në selinë e PDK-së shpoqëria civile u pengua nga rojat e partisë të zhvilloj aktivitetin e saj. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/