close

KREU I ASH-së ZIADIN SELA FLET PËR ZHVILLIMET POLITIKE

Vendit i duhen zgjedhje të parakohshme


Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase, lideri i partisë politike opozitare shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela ka folur për mundësinë e të bërit pjesë e pushtetit, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për mundësinë e koalicionimit me VMRO-DPMNE-në dhe për Ligjin për Prokurori Publike.

Në intervistën për Radio Evropa e Lirë Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela është shprehur i prerë se nuk do të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës aktuale.

“Ne jemi konsistent si parti politike, dhe kur sjellim vendim, vendimet tona janë mirëmenduar. Nëse nuk do të ishte Aleanca për Shqiptarët ai faktor i cili do t’i ndryshonte punët politike gjatë vitit 2017-të, sot nuk do të kishim as NATO, as datë për negociata. A çfarë fituam, si na e kthyen? Raport jokorrekt nga ana e kryeministrit gjatë zgjedhjeve lokale 2017. A do të hynim ne sërish në atë aventurë? Jo. Aleanca për Shqiptarët do të jetë pjesë e pushtetit, kur do të fitojë në zgjedhje parlamentare.”

Sela ka përsëritur qëndrimin tij se Maqedonisë së Veriut i duhen zgjedhjet të parakohshme parlamentare, për siç tha ai që të largohet Bashkimi Demokratik për Integrim nga qeveria, dhe të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të RMV-së në BE.

“Nëse e kemi parasysh se njëra nga çështjet kryesore për Bashkimin Evropian është reforma në sistemin e drejtësisë, PSP-ja, atëherë tashmë të përfundojmë se arsye se pse ndoshta nuk do të marrin datë, është fakti se BDI është brenda në koalicion me LSDM-së, dhe ky është faktori kryesor i cili pamundëson të ndodhin reforma në të vërtetë në aspekt juridik këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”

Lideri i ASH-së, Ziadin Sela ka deklaruar se ai nuk do të përkrah Ligj për Prokurori Publike, nëse i njëjti do t’i mbroj siç thotë ai “arushat e mëdha politike të shtetit”. Sela shprehet se do të përkrahte secilin ligj që është i mirë për qytetarët e vendit. /Klan Maqedoni/