Zhelko Komshiq: Aderimi në NATO – garanci për sigurinë
Zvarritja e miratimit të Planit Vjetor për NATO nga Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës, si rezultat i kundërshtimit të liderit të Republika Serpskës, Milorad Dodik, është bërë pengesa kryesore që edhe njëmbëdhjetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, kjo republikë ish-jugosllave, etnikisht e përçarë, të mos formojë qeverinë e saj. Kryesuesi i Presidencës kolektive në Sarajevë, kroati Zhelko Komshiq nuk ka përjashtuar mundësinë që në këtë krizë më të re të ketë gisht edhe Rusia, që nuk e fsheh kundërshtimin e aderimit në NATO. Zoti Komshiq në një prononcim për median në Bosnjë ka bërë thirrje për vendosjen e shtetit qytetar dhe ndërtimin e identitetit kombëtar, sipas shembullit të shqiptarëve.
Pas Marrëveshjes së Dejtonit që më 1995 i dha fund gjakderdhjes më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, Bosnjë-Hercegovina vazhdon të jetë shtet jofunksional, si rezultat i ndasive dhe intolerancës ndëretnike. Kryesuesi i radhës i Presidencës treanëtarëshe e Bosnjë-Hercegovinës, kroati Zhelko Komshiq, në një intervistë për televizionin e pavarur N1 ka thënë këto ditë se beson që prapa kundështimit, sipas tij iracional, të miratimit të Planit Vjetor për në NATO nga ana e anëtarit të saj, Milorad Dodik, qëndron Moska zyrtare. Kjo për shkak se aderimi në Aleancë, Bosnjë-Hercegovinës do t’i sjellte vetëm të mira:
‘Nuk ka logjikë që ju të jeni kundër NATO-s që ju garanton sigurinë elementare, pra nëse jeni në NATO – harrojeni më konfliket, konfliktet e brendshme. Nuk ka më konflike, nuk ka luftëra, nuk ka frikë nga lufta. Nuk ka frikë se dikush nga jashtë ka për t’ju sulmuar, ‘ – thotë Komshiq. Sipas tij, për mirëfunksionimin e Bosnjë-Hercegovinës e domosdoshme është vendosja e shtetit qytetar
‘Kur themi qytetar, kjo nuk domethënë se dikush angazhohet që ne më nuk jemi serbë, kroatë, boshnjakë, romë, hebrenj. Askush nuk angazhohet për këtë, për shkak se ne jemi. Shteti qytetar nënkupton barazinë tonë në nivel të individit dhe që ne të drejtat tona të njeriut, të drejtat elementare, të mos i realizojmë nëpërmjet kolektivitetit, përmes përkatësisë së popullit, por ato të drejta i realizojmë si qytetarë njëlloj të barabartë të Bosnjë-Hercegovinës,’ – thotë kreu i radhës i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës duke marrë si shembull shqiptarët për ndërtimin e identitetit kombëtar
‘Këtë duhet mësuar, fjala vjen, nga shqiptarët. Si ndërtohet identiteti dhe çfarë të mbron. Edhe ndër shqiptarët keni ortodoksë, katolikë dhe myslimanë, por ata janë shqiptarë. A do ta arrijmë ne që kjo të vijë edhe në këto hapësira, nuk e di’.
Vëzhguesit në Sarajevë nuk e fshehin se për shkak të mënyrës se si është organizuar dhe intolerancës ndëretnike, Bosnjë-Hercegovina është shteti më i ndërlikuar, me një armatë të tërë qeverish, ministrash e nëpunësish shtetërorë dhe administrator ndërkombëtar me plotë ingjerenca, konform Marrëveshjes së Dejtonit, por që minohen nga politikanët vendor, në radhë të parë serbë e kroatë, e here-herë edhe boshnjakë. /Klan Macedoni/