Moska, Betlehemi, Jerusalemi, Kajro qendra të kremteve
Të krishterët ortodoksë festojnë Krishtlindjet më 7 janar, teksa besimtarët janë mbledhur në Moskë, Betlehem, Jerusalem, Kajro dhe qytete tjera në botë, për të shënuar këtë ditë. Sipas kalendarit Gregorian, në shumicën e vendeve të Perëndimit, kjo festë shënohet më 25 dhjetor. Kishat ortodokse, duke përfshirë ato në Rusi, Ukrainë, Gjeorgji, Serbi dhe Jerusalem janë vetëm disa nga kisha që festojnë Krishtlindjet sipas kalendarit Julian më 7 janar.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov mëngjesin e sotëm mori pjesë në liturgjinë me rastin e festës Krishtlindjet në Kishën “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup. Kurse Kryeministri Zoran Zaev me rastin e kësaj feste ka marrë pjesë në ceremoninë fetare në Manastirin Vodoça në Strumicë. Ndryshe në Kishën “Shën Klimenti i Ohrit” është mbajtur manifestimi qendror me rastin e Krishtlindjeve ortodokse.
Krishtlindjet këtë vit shënohen në kohë të vështirë brenda besimit ortodoks. Në muajin nëntor, Ukraina ka siguruar miratimin e Patriarkanës Ekumenike, lideres globale të ortodoksizmit me seli në Stamboll, për të krijuar kishën e pavarur, hap që është kundërshtuar nga Rusia. Në Shën Petersburg, presidenti rus, Vladimir Putin ka qenë pjesë e ceremonisë së shënimit të Krishtlindjeve, teksa Patriarku Kirill ka kryer shërbimet e festës në Moskë.
Pjesëmarrja në meshën e mesnatës është kthyer në traditë për liderët rusë, pavarësisht se disa prej tyre, siç është Putin kanë qenë mbështetës të sistemit komunist gjatë periudhës sovjetike. Ndërkohë qindra persona kanë festuar këtë ditë edhe në Betlehem, teksa Patriarku ortodoks grek, Theophilos III ka kryer shërbime në Kishën që njihet tradicionalisht si vendi i lindjes së Krishtit. Policia palestineze ka qenë në detyrë teksa dhjetëra protestues kanë bërtitur “tradhtar”, duke protestuar shitjen e një prone që ka bërë Kisha Ortodokse greke në lindje të Jerusalemit, ndaj një grupi që promovon vlera hebraike.
Blerjet e tokës së Kishës dhe pronave tjera nga izraelitët në Jerusalemin Lindor kanë zemëruar palestinezët, duke përfshirë shumë të krishterë ortodoksë, që konsiderojnë se ai territor do të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen. Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor, mirëpo një hap i tillë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Në Kajro, presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi ka inauguruar katedralen e re për Kishën Ortodokse Kopte dhe një nga xhamitë më të mëdha në rajon. /Klan Maqedoni/