Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka nënshkruar Ligjin për Gjuhët dhe i njëjti është publikuar në gazetën Zyrtare të Maqedonisë. Këtë informacion e ka publikuar edhe vetë Kryeparlamentari Xhaferi në profilin e tij në Facebook.
Ligji për Gjuhët u miratua më 11 janar të vitit të kaluar në situatë të tensionuar mes deputetëve. Pas votimit në lexim të dytë me 69 vota “për”, presidenti, Gjorgje Ivanovi, nuk e dekretoi me arsyetimin se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se është sjellë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.
Sipas procedurës, Ligji u kthye për rivotim në institucionin ligjvënës. Në lexim të tretë, ai përsëri mori miratimin e shumicës së deputetëve. Ndërkaq, në bazë të Kushtetutës së Maqedonisë, pas kalimit në lexim të tretë, nënshkrimi nga ana e Presidentit nuk është i nevojshëm. /Klan Maqedoni/