close

KRYEPROKURORI I GJYKATËS SË HAGËS NË BEOGRAD

Haga kërkon nga Serbia ekstradimin e dy serbëve


Kryeprokuroi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës Serzh Bramerc nis sot një vizitë dyditore në Beograd për të shqyrtuar probleme të bashkëpunimit me autoritetet serbe lidhur me procesuimin lëndëve që kanë të bëjnë me krimet e luftës.

Bëhet e ditur se gjatë bisedimeve me ministren serbe të Drejtësisë, Nela Kuburoviq dhe prokuroren publike, Zagorka Dolovac, kryeprokuroi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Serzh Bramerc, do të shqyrtohet zbatimi in strategjisë kombëtare të Serbisë  për ndjekjen e autorëve të krimeve të luftës, bashkëpunimi rajonal për lëndët që lidhen me krime të luftës si dhe mbështetja e Prokurorisë së Hagës për autoritetet serbe me qëllim që në këto procese të triumfojë drejtësia.

Së fundmi, Mekanizmi i Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Ndërkombëtare që ka marrë përsipër punën e Tribunalit të Hagës ka kërkuar që dy serbët e akuzuar për frikësim të dëshmitarëve në procesin kundër liderit të radikalëve Vojislav Sheshel, Vjerica Radeta dhe Petar Jojiq, të arrestohen dhe të dërgohen në Hagë.

Gjatë qëndrimit në Beograd, Kryeprokuroi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës do të asistojë edhe në një konferencë rajonale të prokurorëve për çështje të cilat lidhen me krime të luftës. Kjo vizitë në Serbi i paraprinë paraqitjes së Raportit të rregullt të Gjykatës së Hagës para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mesin e muajit të ardhshëm. /KLAN Macedonia&Agjencitë/