Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e ka humbur toruan dhe pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka fyer ambasadoren e Kosovës, Vlora Çitaku, dhe delegacionin që e shoqëronte. Ne mbledhjen e djeshme te Keshillit te Sigurimit te OKB, Ivica Daçiq, tha se operacioni i Policisë së Kosovës në veri, më 28 maj, ka pasur për qëllim “të frikësojë popullsinë e mbetur serbe”. Ndersa ambasadorja Çitaku tha se ai ka pasur të bëjë me krimin e organizuar në disa komuna të Kosovës dhe se ka pasuar një hetim disamujor.
Në përfundim të seancës për Kosovën në Kombet e Bashkuara të hënën, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq i është afruar nga pas ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku e cila bashkë me delegacionin që e shoqëronte, ishte duke biseduar me përfaqësuesit e Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe i është drejtuar duke iu referuar një pjese të fjalimit të saj-ka shkruar Ambasadorja Çitaku në profilin e saj në Tuitter. Në xhirimin që e ka publikuar ambasadorja Citaku dëgjohen ofendime të ministrit serb…. Zënka verbale është zhvilluar në prani të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, siç transmetojnë mediat serbe, komenti i Daciqit kishte të bënte më fjalimin e Vlora Çitakut në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ajo ka thënë se në rastin e Serbisë dhe Kosovës bëhet fjalë për dekolonizim.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, ka akuzuar zyrtarin e UNMIKU-ut, shtetasin rus Mihail Krasnoshçekov, se duke shfrytëzuar automjetin zyrtar të këtij misioni, ka ndihmuar në ngritjen e barrikadave për të penguar aksionin e policisë së Kosovës në Zubin Potok.
Shtetasi rus ishte ndaluar gjatë aksionit të paradokohshëm policor në veri të Kosovës, ku përveç tij, ishte ndaluar edhe një pjesëtar i personelit lokal të UNMIK-ut. Çitaku, në emër të autoriteteve të Kosovës, ka kërkuar hetime ndërkombëtare rreth këtij incidenti, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me UNMIK-un e as me mandatin e pjesëtarëve rus në këtë mision. Ajo ka akuzuar Serbinë se është duke zhvilluar fushatë të dehumanizimit të qytetarëve të Kosovës, duke rikujtuar deklaratën e para disa ditëve të kryeministres serbe Bërnabiq për “njerëzit nga mali”. /Klan Maqedoni/