close

KSHZ ANULON VOTIMIN NË DY VENDVOTIME NË KAVADAR

Shkarkohet bordi zgjedhor


Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka anuluar votimin në disa vendvotime, pasi nuk janë përputhur fletëvotimet që janë gjendur në kuti me numrin e personave që kanë votuar.

KSHZ-ja vendosi të anulojë votimin në dy vendvotime në Kavadar për shkak të mospërputhjes së numrit të personave të regjistruar në listë se kanë votuar dhe fletëve të votimit në kuti. Bëhet fjalë për vendvotimet 0684/1 dhe vendvotimin 0682. Në vendvotimin 0684/1 ka pasur 368 persona të regjistruar që kanë votuar kurse janë konstatuar 369 fletëvotime. Anëtarët e Këshillit zgjedhor kanë konstatuar edhe vetë lëshimin dhe e kanë evidentuar në procesverbal. KSHZ-ja mori edhe vendim për shkarkimin e tyre.

Në vendvotimin 0682 lëshimi është bëre nga vetë anëtarja e këshillit zgjedhor e cila menjëherë pas hapjes së vendvotimit ka votuar dhe më vonë është konstatuar se nuk është e regjistruar në atë vendvotim për shkak se ka ndryshuar adresën.

KSHZ për të njëjtën arsye anuloi votimin edhe në vendvotimin 1075 në Kumanovë. Sipas listës të drejtën e tyre zgjedhore e kanë realizuar 280 persona, derisa në kuti ka pasur 281 fletëvotime.

KSHZ-ja anuloi edhe votimin në vendvotimin 1338 në Ohër ku është konstatuar se më shumë votues nuk janë nënshkruar në listën zgjedhore se kanë votuar për president. Në listë gjithsej janë evidentuar 42 votues kurse kutia numëron 82 fletëvotime. Supozohet se lëshimi është bërë kur shumica e votuesve janë regjistruar vetëm në listën për zgjedhjet locale, por jo edhe në listën për zgjedhjet presidenciale. /Klan Maqedoni/