Raportet financiare për fushatat zgjedhore kanë arritur deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Kryetari i KSHZ-së Oliver Derkovski në seancën e sotme informoi se janë respektuar afatet e parapara me ligj për dorëzim të raporteve dhe të njëjtat do të publikohen në ueb faqen e KSHZ-së, me qëllim tejkalimin e problemeve dhe paqartësive të caktuara, por edhe për më tepër efikasitet dhe transparencë. KSHZ-ja përpunoi edhe udhëzim për zgjedhjet aktuale.
Kryetari i Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve, Oliver Derkovski në seancën e sotme pohoi se organizatorët e fushatave zgjedhore për zgjedhje Presidenciale, por edhe për zgjedhjet e parakohshme lokale në tri komuna, në kohë i kanë dorëzuar raportet financiare deri te komisioni. Raportet do të jenë publike, përkatësisht do të publikohen në ueb faqen e KSHZ-së, deklaroi Derkovski.
“Kandidatët në kohë i dorëzuan raportet financiare. Nuk mund t’i publikojmë, nuk kishim mundësi teknike, është gjithçka në rregull, do të publikohen në ueb faqen e KSHZ.” -tha Oliver Derkovski-Kryetar i KSHZ-së.
Derkovski sqaroi se disa prej tyre kanë qenë të dërguara me postë, disa përmes arkivës, por në të dyja rastet, siç tha, janë respektuar afatet kohore.
Kryetari i KSHZ-së informoi se deri tani jozyrtarisht janë akredituar 3815 mbikëqyrës të cilët do t’i ndjekin zgjedhjet.
“Kanë kërkuar dhe kanë marrë akreditim 3815 mbikëqyrës, prej të cilëve 3094 janë mbikëqyrës vendor, 423 mbikëqyrës ndërkombëtarë, 285 janë përkthyes dhe 13 janë gazetarë të huaj. Këto janë informacione jozyrtare dhe ky numër mund të rritet.”– deklaroi Oliver Derkovski-Kryetar i KSHZ-së.
Nga KSHZ-ja informojnë se deri te komisioni kanë arritur edhe raportet e të dhënave të radiodifuzionit për emetimin e reklamave të paguara politike në javën e parë të fushatës për zgjedhje të presidentit dhe kryetarëve të komunave Novo Sellë, Ohër dhe Dibër. /Verica Dimitrijevska/