Dhjetë mijë qytetarë dhe 30 nënshkrime deputetësh duhet të dorëzojë në KSHZ kandidati i përbashkët presidencial i shumicës parlamentare Stevo Pendarovski. Kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska këtë procedurë tashmë e ka përfunduar.
Nga e shtuna kandidaturën e Blerim Rekës e kanë përkrahur mbi 6.000 qytetarë, për Amdi Bajramin deri tani kanë nënshkruar rreth 3.000 qytetarë, por ai paralajmëroi se do ta tërheq listën e nënshkrimeve. Nënshkrime mbledhin edhe Filip Petrovski, Popovski, Josif Mirçevski.
Blerim Reka, Dimçe Petrovski dhe Filip Petrovski janë kandidatët për të cilët mblidhen nënshkrime për kandidaturat e tyre në Njësinë Rajonale të Tetovës. Poashtu, siç kanë njoftuar nga KSHZ-ja se nga diaspora vetëm 400 qytetarë janë paraqitur se do të votojnë në zgjedhjet presidenciale.
Kryetari i KSHZ-së Oliver Derkovski ka theksuar se nuk kanë regjistruar se dikush nga kandidatët para kohe ka filluar me fushatën. Kandidatët për president duhet të konfirmohen nga KSHZ-ja deri më 21 Mars dhe deri atëherë, të gjitha aktivitetet e tyre do të vlerësohen si takime partiake, e jo si fillim zyrtar i fushatës parazgjedhore, që zyrtarisht fillon më 1 Prill.
Afati për grumbullimin e nënshkrimeve për kandidatët presidencial përfundon më 9 Mars. KSHZ-ja, Enti Shtetëror për Revizion dhe Komisioni Antikorrupsion sot nënshkruan Memorandum për bashkëpunim në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale. /Klan Maqedoni/