Sipas KSHZ-së, dalja në zgjedhjet presidenciale deri në ora 10.00 në nivelin e gjithë territorit të vendit është 6.31%. Jehona më e madhe është shënuar në Kriva Pallankë dhe Prilep, kurse më e ulët në Vrapçishtë, Dibër dhe Bogovinë.
Komisionet Komunale Zgjedhore në rajonin e Tetovës nga gjithsej 265 vendvotime kanë marrë konfirmim se votimi në rrethin e dytë të Zgjedhjeve presidenciale ka filluar në orën 7:00 dhe zhvillohet në rendin më të mirë. Në gjashtë komuna në këtë rajon mundësi për votim do të kenë gjithsej 181.933 qytetarë me të drejtë vote.
Jehona në Komunën e Kërçovës është shumë e ulët në krahasim me ciklin e mëparshëm zgjedhor, edhe pse ndoshta është arsyetim fakti që gjithë paraditen në Kërçovë ka reshje intensive të shiut. “Në komunën tonë deri në orën 10:00, të drejtën e tyre të votës e kanë realizuar 1.299 votues ose 2,58 për qind. Procesi zgjedhor deri në këtë moment po zhvillohet qetë”, informon Antigona Seferi, kryetare e KKZ-Kërçovë.
Në Ohër sot përveç në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, qytetarët do të votojnë edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar komune, Qytetarët e Ohrit do të mund të deklarohen mes dy kandidatëve të cilët në rrethin e parë fituan numër më të madh të votave. Kryetari i KKZ-së, Kliment Kamnaroski, deklaroi se të gjitha 88 vendvotimet në Komunën e Ohrit janë hapur në kohë, ndërsa votimi zhvillohet pa pengesa dhe pa probleme.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në tri komuna të Gostivarit filloi me kohë, informuan nga komisionet komunale zgjedhore. Në Komunën e Gostivarit numri total i votuesve në listën zgjedhore është 79.493, ndërsa votohet në 121 vendvotime. Dje të drejtën e votës e shfrytëzuan 20 persona të sëmurë.
Zgjedhjet filluan me kohë edhe në Komunën e Vrapçishtës. Atje në 39 vendvotime, të drejtën e votës duhet ta shfrytëzojnë 25.599 qytetarë. Dje votuan gjashtë persona të lajmëruar si të sëmurë dhe pesë persona të cilët gjenden në arrest shtëpiak. Të gjitha 39 vendvotimet në mëngjes ishin hapur edhe në Mavrovë Rostushë, ku të drejtë vote kanë 9.886 qytetarë, prej të cilëve 17 votuan dje. /Klan Maqedoni/