close
kurti

VUÇIQ: TAKIMI MË I KEQ I DIALOGUT


Në selinë e Bashkimit Evropian, në Bruksel, ka përfunduar dialogu Kosovë-Serbi. Pala kosovare u kryesua nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa ajo serbe – nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Bashkëbisedimi u ndërmjetësua nga Përfaqësuersi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kryeministri I Kosovës Albin Kurti pas takimit me presidentin serb Vuciq në Bruksel tha se ka propozuar një marrëveshje të paqes që ishte e balancuar, por që nuk është pranuar nga Serbia.

ALBIN KURTI – KRYEMINISTËR I KOSOVËS

“Propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene të një deklarate të paqes mes Kosovës dhe Serbisë që u refuzua. Marrëveshja u refuzua ende pa u lexuar. Për mua kjo tregon mos gatishmëri për marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të dytë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i indinjuar. Ai e quajti takim të keq dialogun e sotëm në Bruksel, ndërsa shtoi se Serbia u pajtua me disa propozime nga ndërmjetsuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak por Kurti përgënjeshtron këtë deklaratë të presidentit serb Vuçiq duke thënë se ai gënjeu kur tha se pala e Kosovës refuzoi të pajtohet për një çështje.

ALEKSANDAR – VUÇIQ PRESIDENT I SERBISË

“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja”, tha Vuçiq.

Kurti më tej ka thënë se nuk mund të zgjidhet çështja e të pagjeturve kur udhëheqës i delegacionit të Serbisë është Velko Odalloviq, duke shtuar se janë dakorduar që gjatë gushtit të ketë edhe një takim të delegacioneve, ndërsa një tjetër takim midis krerëve në shtator. Nga ana tjetër presidenti serb Vuciq deklaroi se Serbia pranoi plotësisht dhe pa asnjë vërejtje disa propozime të palës së Kosovës por se “shqiptarët nuk dëshironin” sic shprehet ai. /KlanMacedonia

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia