close

KUVEND: FILLON FAZA FINALE E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE

Pozita thotë se i ka votat, opozita thirrje për protesta


Në Kuvendin e Maqedonisë vazhdoi diskutimi për propozim-amendamentet, me të cilat duhet edhe të përmbyllet procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë, për zgjidhjen e çështjes së emrit. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretat e votave të deputetëve akoma është i paqartë, pasi nuk dihet se a do të mbështetet nga shumica absolute e deputetëve.

Nga mazhoranca parlamentare edhe sot kanë ripërsëritur se i kanë votat e së paku 80 deputetëve për ndryshimet kushtetuese konform Marrëveshjes së Prespës.

Por, nga ana tjetër, Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski theksoi se Kushtetuta ndryshohet në mënyrë të dhunshme dhe se rezistenca mbetet opsioni i vetëm për opozitën.

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dje arritën marrëveshje lidhur me ndryshimet kushtetuese. Pritjet janë që votimi të kryhet shumë para afatit ligjor prej 12 ditëve sa duhet të zgjasë debati, me qëllim që topi të hudhet në terrenin grek. Ndërkohë, dhjetëra përkrahës të organizuar nga “Maqedonia Bllokon”  janë duke protestuar para Kuvendit të Maqedonisë, duke kërkuar nga presidenti Ivanov që të deklarojë “ligjin ushtarak”. /Xhumadije Ibrahimi/