close

LIBERALIZIMI I VIZAVE: PE-ja MBËSHTET KOSOVËN

Parlamenti Europian ka votuar me 331 vota pro, 126 kundër dhe 12 abstenim propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Raportuesja për këtë çështje e Parlamentit Europian, eurodeputetja Tanja Fajon ka fajësuar shtetet anëtare të Bashkimit Europian për izolim të qytetarëve të Kosovës nga lëvizja e lirë në zonën Shengen. Ajo ka hedhur poshtë lidhjet që janë bërë nga disa eurodeputetë midis lëvizjes së lirë në zonën Shengen me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe rritjes së radikalizimit në vend. Sipas Fajon, rritja e radikalizimit në Kosovë mund të jetë rezultat i izolimit të vendit dhe i zhgënjimit për shkak të dështimit të Bashkimi Europian në mbajtjen e premtimeve.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian edhe më shumë se vendet e tjera të Ballkanit. Komisioni dhe Parlamenti Europian e kanë njohur këtë. Dhe nëse sot thoni, që Kosova nuk ka përmbushur kushtet, ju thjesht po gënjeni dhe po tregoheni të papërgjegjshëm. U kërkoj shteteve anëtare që të respektojnë traktatet. Nuk nevojitet unanimitet, por shumicë e cilësuar për këtë vendim. Jepini fund lojërave politike dhe veproni tani.” –tha Tanja Fajon, Eurodeputete.

Komisioneri për punët e brendshme, migracionin dhe qytetarinë, Dimitris Avramopoulos është shprehur qartë, se pavarësisht rekomandimit pozitiv të Komisionit dhe mbështetjes së Parlamentit Europian, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk mund të bëhet gjatë këtij mandati:

“Nuk mund të shtyhet apo të ndryshohet fundi i procesit të vizave, përndryshe ne rrezikojmë që Kosova dhe ç’është më e rëndësishme, qytetarët e saj proeuropianë të na kthejnë kurrizin dhe të vrapojnë në drejtim tjetër. Shpreh keqardhjen time të thellë, që nuk u bë e mundur që të gjendej një marrëveshje gjatë këtij legjislacioni. Shpresoj, që vendimi të merret gjatë mandatit të ardhshëm sa më shpejt të jetë e mundur.” –deklaroi Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Punë të Brendshme.

Legjislacioni i ri për Parlamentin Europian fillon pas zgjedhjeve europiane të 26 majit, ndërkohë që mandati i ardhshëm i Komisionin Europian fillon në nëntor të këtij viti. Vendimi i Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës ishte lexim i parë. Propozimi i Komisionit Europian do të kthehet sërish për lexim të dytë pas shqyrtimit të shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Kjo procedurë e bën të pamundur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës këtë vit. /Erisa Zykaj, Bruksel/