close

LIGA E KAMPIONËVE: FITOJNË PSZH DHE ROMA

Mançester United – PSZH 0-2, Roma – Porto 2-1


Paris Saint-Zhermeni dhe Roma kanë shënuar fitore në ndeshjet e para të të tetës së finales në Ligën e Kampionëve europian të futbollit. PSZH shënoi fitore të sigurt në transfertë kundër Mançester Junajtedit në ndeshjen e cila u zhvillua në Old Traford me rezultatin 2-0 edhe pse ishin pa dy yjet e futbollit, Neymar dhe Cavani që janë të dëmtuar.

Për Djajtë e Kuq kjo është hera e parë në histori që humb një ndeshje duke pësuar më shumë se një gol në kompeticionet europiane.

Pas një pjese të parë të barabartë, Kimpembe zhbllokoi rezultatin për miqtë në minutën e 53’ pas krosit të Angel Di Maria-s nga këndi. Pak minuta më pas erdhi goli fantastik i Mbappe, i asistuar përsëri nga Di Maria.

Djajtë e kuq takimin e mbyllën me 10 futbollistë, pas të kuqit të Paul Pogba. Në këtë ndeshje, italiani Gianluigi Buffon zyrtarizoi 50 ndeshje pa pësuar gol në garën elitare të klubeve europiane.

Në ndeshjen tjetër Roma ka fituar 2-1 ndeshjen e parë të të tetës së finales në përballjen kundër Portos në shtëpi. Protagonisti i takimit ishte 19-vjeçari Nicolo Zaniolo, i cili realizoi dy gola dhe bëhet futbollisti më i ri italian që shënon dy gola në një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Zaniolo dy golat i shënoi në minutën e 70 dhe atë të 76-të, ndërsa golin e nderit për Porton e shënoi Adrian, 11 minuta para fundit të ndeshjes.

Ndeshjet kthyese të të tetës së finales do të zhvillohet më 6 mars. /Agjencitë/