Tri fitore të skuadrave vendase dhe dy barazime me gjithësejt 13 gola të shënuar dhe një karton të kuq është epilogu i ndeshjeve të javës së tretë në Ligën e Parë të futbollit vendor. Pas tre xhirove të zhvilluara tabelën e kryesojnë Akademija Pandev dhe Renova me nga 7 pikë të grumbulluara, ndërsa Shkëndija dhe Boreci mbajnë dy pozitat e fundit me vetëm nga një pikë të fituar.
Kampioni në fuqi Shkëndija edhe në javën e tretë të kampionatit kësaj radhe si vendas zhgënjeu tifozët e vetë pasi në përballjen me Makedonija Gj.P arriti të fitoj vetëm një pikë. Tani vërtet shtrohet pyetja se çka po ndodh me këtë skuadër e cila në radhët e veta ka futbollistë që do t’i dëshironte çdo skuadër, jo vetëm në vend, por edhe më gjerë. Reparti i sulmit nga tri ndeshje ka shënuar vetëm një gol, ndërsa mbrojtja ka pranuar tre. Të pakënaqur me lojën dhe rezultatin e ekipit në fund të ndeshjes tifozët fishkëlluan ekipin vendas, ndërsa duartrokitën ekipin mysafir që për vendasit ishte një moment i dhimbshëm.
“Sigurisht që dhemb sepse parapëseprapë e kuptoj publikun se Shkëndija nuk e dha atë që dinë. Por megjithate ajo është e drejta e tyre. Shpresojnë në lojat tjera. Ua kthejmë me loja të mira, me lojë më të mirë dhe me fitore ta kthejmë edhe publikun.” deklaroi Qatip Osmani trajner i KF Shkëndija.
Skuadra nga Gjorçe Petrovi në Tetovë kishte ardhur me shpresë që të nxjerr një pikë dhe atë futbollistët e kësaj skuadre e realizuan përçka edhe janë shumë të kënaqur pasi nga tri ndeshje kanë pesë pikë. Këtë për Klan Maqedoni e deklaroi futbollisti Ermedin Adem:
“Mendoj që për neve kjo pikë është shumë e madhe. Erdhëm këtu për një pikë, mundeshemi edhe me fituar, por mundeshmi edhe të humbim. Fati deshti që të marrim një pikë dhe jemi shumë të gëzuar” –deklaroi Ermedin Adem futbollist i KF Makedonija Gj.P.
Ndeshja në stadiumin e Çairit mes Skupit dhe Renovës gjatë 90 minutave pati kthesa të shumta, por në fund rezultati mbeti i barabartë 2-2. Në këtë ndeshje kanë shkëlqyer autorët e golave Marin Jurina i Shkupit dhe Remzifaik Selmani të cilët kanë shënuar nga dy gola secili. Struga Trim Lum që drejtohet nga trajneri Jeton Beqiri ka shënuar edhe fitoren e saj të dytë në tre xhirot e para, duke konfirmuar se bëhet fjalë për një skuadër mjaft mirë të përgatitur, ndaj së cilës nuk do ta kenë të lehtë edhe ekipet më të mëdha. Fitore të sigurt në javën e tretë ka shënuar Akademija Pandev ndaj Borecit 2-0. Java e katërt e kampionatit luhet të shtunë më 31 gusht me fillim në orën 16:30. /Shaban Sinani/