Në Frankfurt ndeshja përfundon në paqe
Mbrëmjen e së enjtes u luajtën ndeshjet e para të turit të gjysmëfinaleve të Europa League, Arsenal-Valencia 3-1 dhe Eintracht Frankfurt-Chelsea 1-1. Skuadra e Chelsea dhe ajo e Eintracht Frankfurt janë ndarë në paqe në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në Ligën e Evropës.
‘Blutë’ e Londrës nuk arritën më shumë sesa një barazim 1:1 në udhëtimin e tyre në Gjermani. Autor të golave ishin Luka Jovic për vendasit dhe Pedro Rodriguez për anglezët.
Por, më shumë sesa rezultatet, në mediet botërore sportive flitet për një ngjarje të pazakontë.
Qyteti i Frankfurtit dje festonte një mbrëmje historike, sigurisht për faktin që skuadra e qytetit ka mundur të shkojë kaq larg në një turne futbollistik kontinental, ndaj dhe tifozët vendas u kujdesën t’i ruanin gjatë kujtimet nga ajo ndeshje.
Shumë e njohin si stil “ultrasi”, ndërsa të tjerë i quajnë “tifozë të çmendur” të skuadrave. Pikërisht këta të fundit donin që këtë 90 minutësh historik të mos e kalonin ulur në ndenjëset e stadiumit të Frankfurtit, por të ngritur në këmbë dhe gjatë gjithë kohës në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës. Në fakt, i gjithë “operacioni” i tifozëve të apasionuar është zhvilluar në mënyrë të paqtë dhe pa incidente, pavarësisht se bëhet fjalë për një rast unik në këto nivele të futbollit europian e botëror.
Skuadra e Arsenal ka arritur që të shënojë fitore në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës. ‘Gunners’ para tifozëve të vet arritën që të triumfojnë me rezultatin 3:1, përballë skuadrës së Valencias. Autor të golave për vendasit ishin Alexandre Lacazette me dy gola dhe Pierre Emerick Aubameyang, ndërsa golin e vetëm për Valencian e shënoi Mouctar Diakhaby. Ndeshjet e kthimit zhvillohen më 9 maj, ku dy skuadrat Arsenal dhe Chelsea kanë shansin të vendosin një dominim totalisht anglez në Europa League, pasi janë kthyer në favorite për të shkuar në sfidën e fundit të turneut më të vogël kontinental për klube. /Agjencitë/