close

LIGJI I GJUHËVE: KEKENOVSKI KONTESTON LIGJIN NË GJYKATË KUSHTETUESE

Qeveria mohon se për zbatimin e ligjit duhen punësime të reja


Profesori universitar, Jove Kekenovski, parashtroi ankesë në Gjykatë Kushtetuese, me të cilën e konteston kushtetutshmërinë e procedurës së sjelljes së Ligjit për Gjuhët. Ai tha që tekstin e ligjit nuk e kontestojnë, por sipas tij edhe ai është antikushtetues.
Kekenovski kërkoi që Gjykata Kushtetuese ta pezullojë hyrjen në fuqi të akteve ligjore, që mos të ketë pasoja për shkak të implikimeve financiare, që profesori i konsideron që janë shumë të mëdha.

“Në Kushtetutë qartë thuhet, amendamenti XVII dhe amendamenti V janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjin për gjuhët. Thelbin e ligjit nuk e kontestojmë, por thelbi i ligjit nuk korrespondon me amendamentin e pestë. Mund të ketë pasoja të paparashikuara serioze sepse ligji ka implikime financiare. Nëse e lexoni ligjin bëhet fjalë për qindra milionë denarë siç flasin informatat e mia. Secili ligj ka implikimet e veta financiare, duhet edhe të ketë rivendosjen e një numër të madh të punëtorëve të administratave në sektorë të ndryshme dhe ministri.” shprehet Jove Kekenovski, Profesor Universitar.

Që mbrëmë Qeveria e mohoi se zbatimi i ligjit do të thotë punësime të reja.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve parasheh themelim të Agjencisë Qendrore, e cila do t’u shërbejë komunave dhe institucioneve të tjera, në ato vendbanime ku shumica e qytetarëve janë maqedonas. Në ato qytete, në rast se ndonjë qytetar i komunitetit shqiptar, rom, boshnjak, serb ose i ndonjë komuniteti tjetër etnik ka nevojë për komunikim dhe do të drejtohet në gjuhë tjetër, krahas gjuhës maqedonase, atëherë Agjencia Qendrore do t’u ndihmojë qytetarëve dhe do ta përkthejë komunikimin për nevojat e qytetarëve të cilët drejtohen. Kjo do të thotë se në institucionet, në komunat ku 20% e qytetarëve nuk janë pjesëtarë të komuniteteve etnike jo-shumicë, nuk do të ketë punësim shtesë të qytetarëve shqiptarë ose të ndonjë komuniteti tjetër etnik për të përmbushur dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.” –theksojnë ngaQeveria e Republikës së Maqedonisë.

Në kumtesën e Qeverisë thuhet se ata janë të përkushtuar që ligji të zbatohet, sepse forcon stabilitetin e përgjithshëm shoqëror. /Furkan Saliu/