close

LIGJI I GJUHËVE: QEVERIA ENDE NUK I DINË IMPLIKIMET FINANCIARE

Opozita dhe pozita sërish përplasen


Qeveria ende nuk e ka shumë të saktë se sa do të kushtojë ligji për përdorimin e gjuhëve. Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, tha se vetë institucionet duhet të bëjnë analizat se si do të përmbushin detyrimet financiare për zbatueshmërinë në praktikë të ligjit të ri.

“Nuk e kemi shumë të saktë se sa do të kushtojë, 100mil denarë për themelimin e institucioneve për zbatimin e ligjit.” deklaroi Muhamed Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja opozitare vazhdon kundërshtimin e ligjit.  Deputeti i saj, Nikolla Miceski, në një klonferencë shtypi, duke iu referuar vërejtjeve të presidentit Ivanov për ligjin, nuk la pa folur as për aspektin financiar dhe kohor të zbatimit të tij.

‘Ky ligj do t’i bllokojë institucionet të cilat në vend se të punojnë, do të duhet të përkthejnë dhe të mbajnë arkiva të dyfishta, që do t’i kushtojë shtetit, qytetarëve, kohë, hapësira, resurse njerëzore dhe para.’  shprehet Nikolla Miceski, Deputet i VMRO DPMNE-së

Deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, duke dalë në mbrojtje të ligjit, tha se koha e mbjelljes së urrejtjes dhe nacionalizmit ka përfunduar.

“Partia që ishte 11 vjet në pushtet dhe i shkatërroi të gjitha themelet e këtij shteti, partia e cila nuk ofroi asnjë alternativë për përparim të shtetit, por vetëm bojkotime, regres, protesta të cilat ishin të përkrahura nga një grup i margjinalizuar i njerëzve, tani po dëshiron që ta prish edhe konceptin “Një shoqëri për të gjithë” –vlerëson Kostadin Kostadinov, Deputet i LSDM-së.

Kuvendi mbajti seancën e parë pas publikimit të ligjit në Gazetën Zyrtare, por kreu i tij, Talat Xhaferi, atë e drejtoi vetëm në gjuhën maqedonase. /Furkan Saliu/