close
Top LajmeVendi

LIGJI I GJUHËVE: VMRO-DPMNE VAZHDON ME BLLOKIMIN E KUVENDIT

Screenshot_4

Kadriu: Duhet komunikim mes partive parlamentare


Mbi 35 mijë amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, e kanë paralizuar punën e Kuvendit. Ligji për gjuhët është diskutuar edhe në takimet me tre eurodeputetët Ivo Vajgëll, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, të cilët janë iniciatorë të bisedimeve në kuadër të procesit Zhan Mone.

Situata në Kuvend vazhdon të jetë e komplikuar dhe pa një zgjidhje edhe pas dorëzimit të 35,000 amendamenteve nga ana e VMRO-DPMNE-së për ligjin për gjuhët. Nga kjo parti thonë se nuk do të tërhiqen nga pozicioni i tyre dhe se presin të respektohet rregullorja e Kuvendit dhe amendamentet të vihen në diskutim. Por nga ana tjetër, kryeparlamentari Talat Xhaferri deklaroi se të gjitha çështjet teknike janë tejkaluar dhe se kjo është një çështje politike. Sipas njohësit të çështjeve politike Bekim Kadriu sjellja e këytre amendamenteve nuk ka të bëjë me përmbajtjen e ligjit por vetëm me bllokimin e punës në Kuvend.

‘Ushtrimi i këtyre amendamenteve nuk ka të bëjë me përmbajtjen e ligjit, por në fakt ka të bëjë me bllokimin e punës së Kuvendit, dhe bllokimin e miratimit të këtij ligji. Tani duhet të gjendet një mesatare që edhe rregullorja të respektohet edhe të shqyrtohen amendamentet e ushtruar po në anën tjetër edhe të debllokohet puna e Kuvendit, përshkak se numri i amendamenteve e bllokon punën e Kuvendit.’

Kadriu deklaron se në këtë situatë, ekzistojnë disa mundësi për zhbllokimin e punës së Kuvendit por kryesorja është që të ketë një komunikim më të mirë mes partive parlamentare që të arrihet një marrëveshje politike. Sipas Kadriut, VMRO-ja duhet ta kuptojë se thjeshtë mund ta zgjasë por jo ta pengojë këtë ligj.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski sot deklaroi se VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin që ligji për gjuhët të tërhiqet dhe në vend të kësaj, të formohet grup pune me ekspertë, i cili do të sjell, siç tha, zgjidhje kushtetuese dhe të zbatueshme. Sipas tij, tani Qeveria e ka radhën, ndërsa VMRO-DPMNE-ja si opozitë është këtu.

Ai i ka quajtur spekulime pohimet se VMRO-DPMNE-ja ka arritur marrëveshje me partitë në pushtet që të kthehet në Kuvend dhe të votohet ligji për gjuhët, ndërsa si shpërblim për këtë të lirohen të arrestuarit për ngjarjet në Kuvend më 27 prill. Ndërkaq, Kryeparlamentari Talat Xhaferi në emisionin e mbrëmëshëm Top TEMA NË Tv Telam, ka qenë decid duke theksuar  se lirimi deputetëve të paraburgosur të VMRO-DPMNE-së nuk është marrëveshje politike që opozita të kthehet në Kuvend. /B. J. /

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia