close

LIGJI PËR PROKURORINË PUBLIKE: TË MARTËN TAKIM I LIDERËVE

VMRO-DPMNE: Situata aktuale dikton një takim liderësh


Të martën në Kuvendin e Maqedonisë me siguri do të mbahet takim i liderëve rreth ndryshimeve për Ligjin për Prokurori Publike. Kryeministri Zaev sot doli me qëndrim se është optimist se grupet e punës do të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe nëse vendosin se ka nevojë për takim liderësh ai shprehet i gatshëm që në këtë mënyrë të kontribuojë që ligji të miratohet para 15 shtatorit.

Të martën, sipas të gjitha gjasave, në Kuvend do të mbahet takimi i liderëve, ku duhet të merret vendimi përfundimtar i Ligjit për Prokurori Publike. Nga VMRO-DPMNE kanë konfirmuar se në këtë takim do të merr pjesë edhe lideri i tyre Hristijan Mickoski, siç thonë, për shkak se këtë e dikton situata politike në vend.

Kryeministri Zoran Zaev, ka theksuar se është i gatshëm të thirrë një takim liderësh, por se fillimisht do t`ua jep shansin negociatave mes grupeve të punës.

Kryeministri nuk deshi të prononcohej rreth një plani B, sipas të cilit, do të siguronte 80 deputetë, nëse nuk arrihet marrëveshja. Edhe pse gjatë verës paralajmëronte një variantë të këtillë, tani shprehet se një pjesë e madhe e pjesëve kontestuese janë zgjidhur dhe se pret zgjidhje gjatë këtyre shtatë ditëve sa kanë mbetur deri në skadimin e afatit. /Klan Macedoni/