VMRO DPMNE nuk e ka ndërmend ta përkrah
Pushteti dhe opozita çdo ditë e më shumë po largohen prej kompromisit të mundshëm për ligjin për Prokurorinë Publike.
Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, iu përgjigj videos së djeshme të kryeministrit, ku ky i fundit kërkoi nga kreu i opozitës që të merr përgjegjësi për atë që i ka bërë partia e tij vendit, dhe të votoj ligjin për Prokurori Publike. Mickoski i vjen mirë që siç thotë ai, Zaev e ka kuptuar që pa opozitën ky ligj nuk mund të votohet, por versionin i tillë i ligjit nuk do të ketë përkrahjen e opozitës.
“Ju keni gabuar shumë dhe për këtë shkak tani ju duhet një ligj i tillë për Prokurorinë, që të mund të dilni para anëtarëve të Këshillit Qendror të partisë tuaj, dhe tu thoni se me ndihmën e ndërkombëtarëve do ta bindi Mickoskin dhe VMRO DPMNE-në që ta pranojnë ligjin, e kështu Katica do të promovohet si zëvendës i Prokurorit republikan. Nuk arritët të tregoni se ky shtet ka qenë i kapur, por tani unë po ju them se Maqedonia është shtet i humbur, po e humbin cdo dite nga pak. “ -tha Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristjan Mickoski.
Deputetja e LSDM-së, Jagoda Shahpanska, edhe një herë e përsëriti qëndrimin e partisë së saj, se amnisti për krimin dhe korrupsionin nuk do të ketë. Ajo tha se vetë përbërja e grupit të punës nga ana e opozitës, flet për kredibilitetin e opozitës dhe dëshirën për mos u arritur marrëveshja.
“Ju si gazetarë dhe publiku e keni të qartë se kush është ai që po e bllokon procesin e afrimit të qëndrimeve që të sillet ligji i cili me të vërtet do të sjellë drejtësi dhe i cili do të na sjellë në situatë që të gjithë të jemi të njëjte para ligjit. Ajo do të thotë se ne si parti mbetemi në qëndrimin se nuk ka tolerancë për krimin dhe korrupsionin.” – shprehet Jagoda Shahpanska, deputete e LSDM-së.
Pas vizitës së diplomatit, Filip Riker, palët u dakorduan për pjesën e financimit dhe u shtua besimi në opinion se marrëveshje mund të arrihet. Por dy ditë më vonë, kur erdhi koha të bisedohet për ardhmërinë e lëndëve të hapura nga Prokuroria Speciale si dhe për ardhmërinë e ekipit të Katica Janevës, të dyja palët dolën me qëndrime të kundërta. /Furkan Saliu/