close

LIGJI PËR TREGJET E GJELBËRTA: NJË LICENSË, PËR NJË TEZGË

Shitësit të revoltuar, askush nuk na ka konsultuar


Me fillimin e Vitit të Ri, shitësit nëpër tregjet e Maqedonisë, konform ligjit të ri për tregjet e gjelbërta janë të obliguar të sigurojnë licensa pune. Licensa, vetëm për një tezgë, do të kushtojë 60 euro për një vit.

Në Tregun e Gjelbërt të Shkupit, shitësit nuk kishin një përgjigje, nëse kanë siguruar licensa të reja dhe nëse sipas ligjit të ri, ata që kanë të ardhura nga pensionet tashmë nuk janë duke kryer këtë veprimtari, por të revoltuar thonë se askush nuk i ka pyetur lidhur me këto ndryshime.

“Jo që jemi të revoltuar, por shumë jemi të zhgënjyer. Ligji sillet brenda natës, askush nuk është pyetur e konsultuar. Çka do të thotë licensa për tregtarët, problemi është se nuk ka kush të na mbrojë dhe nuk dimë ku të drejtohemi, kjo është më tragjikja. Thjesht, përfundoi kjo punë. Këtë e kanë bërë 27 vite dhe sërish e bëjnë”.

“Nuk i shmangemi ta paguajmë licensën, por duhet të sigurohen disa kushte që të mundemi ne të sigurojmë të ardhura e t’i paguajmë”

Shitësit në tregun e gjelbërt thonë se rregullat e reja janë vetëm një problem shtesë për ta. Kushtet në të cilat punojnë nuk janë në nivelin e duhur, qasja deri tek tregjet është i kufizuar kurse blerësve u paguhet parkimi dhe në kushte të këtilla, siç thonë, zvogëlohet numri i konsumatorëve.

“Tregu nga të gjitha anët është i mbyllur, nuk ka qasje të lirë, myshterinjtë janë të kufizuar, parkimi kushton 40 denarë…jemi të ngarkuar me harxhime të ndryshme kurse nuk kemi benefite.”

“Ta pyes tani shtetin, çka do të thotë licensa? Unë do të kem grada më të larta, do të fitoj diçka si pasuri ose vetëm do të harxhoj më shumë.”

Konform ligjit, të paralajmëruar para vitit të ri, nëpër tezga do të mund të punojnë persona të papunë që janë të regjistruar në regjistrin e Odës, persona fizik të regjistruar si tregtarë individual që ushtrojnë tregtinë nëpër tezga dhe tregje dhe që merren me veprimtari bujqësore.

Fillimisht, shërbimet inspektuese paralajmërojnë vërejtje për ata që do të bëjnë shitje pa licensa. Shitësit nëpër tregjet presin mirëkuptim nga kompetentët dhe shpresojnë se do të merren parasysh vërejtjet e tyre dhe ky ligj të pësojë ndryshime, ndryshe, siç thonë, revoltën do ta shprehin në protesta. /Verica Dimitrijevska/