Disfatë e rëndë e realit në “Bernabeu”
Ajaxi dhe Tottenhami janë dy skuadrat që janë kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve të Europës. Ajaksi eliminoi kampionin në fuqi të Europës Real Madridin, ndërsa Tottenhami ekipin Borusija Dortmundit.
Ajaxi bëri surprizën më të madhe në Ligën e Kampionëve, duke fituar me rezultatin 1-4 në “Santiago Bernabeu” dhe duke nxjerrë jashtë kompeticionit Realin e Madridit, ekip i cili kishte epërsi nga ndeshja e parë që e mundi Ajaksin në transfertë 2-1. Autor të golave për holandezët ishin Ziyech, Neres, Tadiq dhe Schone, ndërsa golin e vetëm për ekipin vendas e shënoi Asensio.
Reali mbrëmë mbylli një javë të tmerrshme, pasi pësoi tri humbje radhazi në “Santiago Bernabeu”, të cilin e nxorën nga lufta dhe të gjitha kompeticionet ku ishin në garë. Trajneri i klubit mbretëror Solari ka bërë të ditur se ai nuk planifikon të largohet përkundër këtyre goditjeve që i kanë pësuar “Los Blancos”. “Nuk kam ardhur këtu për t’u dorëzuar”, tha Solari, në konferencën për shtyp pas përballjes kundër Ajaxit.
Nga ana tjetër trajneri i klubit holandez, Erik ten Hag ka treguar se si ka arritur të neutralizojë kampionin në fuqi të kësaj gare evropiane për klube. “Ne luajtëm shumë mirë në tranzicion dhe loja mbrojtëse ishte e mrekullueshme. Absolutisht të gjithë lojtarët patën paraqitje fantastike”, tha ndër të tjerash Ten Hag.
Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Tottenhami arriti të fitojë 0-1 ndaj Borussias së Dortmundit, falë një goli të shënuar nga kapiteni Harry Kane.
Gjithsesi vlen të theksohet se londinezët vinin të qetë në këtë transfertë, pasi kishin fituar me rezultatin e thellë 3-0 në ndeshjen e parë në “Wembley”. Shorti për ndeshjet e çerkfinales do të hidhet më 15 mars. /Agjencitë/