Maqedonia e Veriut realitet i ri evropian në Ballkan
Marrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në në qershor të këtij viti do të varet nga tejkalimi i turbulencave në vend – ka porositur Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani pas takimit me homologen franceze Natali Loazo. Ministrja franceze ka theksuar se Bashkimit Evropian i nevojitet një Ballkan stabil.
Ministrja franceze për Çështje Evropiane Natali Loazo ka nënvizuar se Republika e Maqedonisë së Veriut me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës ka konfirmuar gatishmërinë për integrim dhe fqinjësi të mirë, dhe sipas këtij shembulli duhet të integrohen edhe vendet tjera të rajonit. Duke përkujatuar se Franca mbetet mike e Maqedonisë, ajo ka shtuar se vendi duhet t’i plotësojë katër kriteret reformuese.
“Nevojitet një Ballkan Perëndimor që do të jetë stabile dhe e fokusuar në zbatimin e reformave, për ardmëri të brezave të rinj, në të njëjtën mënyrë sikurse edhe juve ju duhet Evropa, e fuqishme dhe e bashkuar.” – deklaroi Natali Loazo- Ministre për Çështje Evropiane.
Zv/Kryeministri për Cështje Evropiane Bujar Osmani ka theksuar se kjo periudhë është e një rëndësie të veçantë për reformat në shumë fusha duke shtuar se përkrahja franceze vjen në një moment tepër të rëndësishëm për vendin.
Diplomatja franceze ka zhvilluar një takim edhe me Kryeministrin Zoran Zaev ku është nënshkruar Marrëveshje mes dy qeverive që ka të bëjë me shkollat e mesme me paralelet dygjuhësore frankofone. Poashtu Ministrja franceze Natali Loazo është takuar edhe me Kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe me Ministrin e Jashtëm Nikola Dimitrov. /Klan Maqedoni/