650 milionë për 10 vite
Manchester City ka nënshkruar kontratën më të madhe në historinë e tij si klub dhe të dytën më të lartë në Premier League. Bëhet fjalë për një marrëveshje 10-vjeçare me “Puma”, e cila ka vlerën e 650 milionë stërlina. Marrëveshja në fjalë vjen pas asaj të Manchester United me “Adidas”, kur është fjala për kontratën më fitimprurëse në elitën e futbollit anglez.
Manchester City ka aktualisht partneritet me “Nike”, por do të implementojë një kontratë të re sponsorizimi nga vera e vitit 2019. Shefi ekzekutiv i klubit, Ferran Soriano, ka thënë: “Është një ditë historike për ne, sepse arrijmë diçka që nuk ka ndodhur më pare. Një partneritet i paparë, që mbulon pesë klube në katër kontinente.
Kjo marrëveshje shënon fillimin e një kapitulli të ri emocionues për “City Football Group”. Marrëdhënia jonë me “Puma” do të rivendosë modelin e partneriteteve sportive në një shkallë të vërtetë globale”.
Marrëveshja me “Puma” përfshin jo vetëm Manchester City, por edhe klubet “satelite”: Melbourne City, Girona, Club Atletico Torque dhe Sichuan Jiuniu. Me uniforma të kësaj kompanie të njohur do të vishen skuadrat e meshkujve dhe të femrave, por edhe të rinjtë. /Agjencitë/