close

MAQEDONI-BE: OSMANI-PARTITË T`I LËNË ANASH DALLIMET

Disa muajt e ardhshëm vlerësohen si kyçe në procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë, për nevojat e të cilit, sipas Zv/Kryeministrit Bujar Osmani mobilizohet e gjithë administrata shtetërore. Nëse Komisioni Evropian publikon raport pozitiv për reformat në vend, kurse Këshilli i Evropës, kah mesi i vitit, jep rekomandime për datën e negociatave, deri në fund të vitit 2019 pritet që bashkë me administratën në Bruksel fillimisht të kalojnë të gjithë 34 kapitujt në fushën ku është i nevojshëm harmonizimi i jurisprudencës.

Gjendje alarmi në administratë. Në këtë mënyrë Zv/Kryeministri Bujar Osmani e quajti nevojën e përfshirjes e të gjithë administratorëve shtetëror në procesin e reformave, të vendosur nga BE-ja si kusht për fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë.

“I vëmë në dispozicion të gjitha trupat, forumet, njerëzit në administratë, që nga udhëheqësit, ministrat, sekretarët shtetëror, deri në njeriun e fundit, me qëllim që të zbatohen reformat, të plotësohen, të ketë rezultate konkrete nga këto reforma që do ta bëjnë shoqërinë më evropiane, por edhe do të japin më shumë argumente t’i bindim vendet anëtare për marrjen e datës së negociatave” deklaroi Bujar Osmani – Zv/Kryeministër për Çështje Evropiane.

Deri në fund të vitit, Zv/Kryeministri Osmani pret të mbahet edhe konferenca e parë ndërqeveritare, mes Shkupit dhe Brukselit, por edhe komparacioni i parë i jurisprudencës vendore me atë evropiane.

“Deri në fund të vitit 2019 presim t’i kalojmë të gjithë kapitujt, gjithsejt 34 dhe nëse arrihen pritshmëritë dhe mbajmë tempon e reformave dhe marrim rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian, raporti i cili duhet të publikohet, dhe marrim një vendim pozitiv politik nga Këshilli i Evropës – kjo do të thotë formalisht fillimi i negociatave” – tha Bojan Mariçiq – Këshilltar në Qeverinë e RM-së.

Por, edhe përpos optimzimit se në qershor Maqedonia do të fitojë datë zyrtare për negociata, ashtu siç ishte premtuar në Bruksel Qeverisë së Kryeministrit Zaev vitin e kaluar, nuk përjashtohet që ky proces sërish të zhvendoset. Kësaj radhe për shkak të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian dhe emërimit të liderëve të rinj evropian në selinë e BE-së. Kjo sërish do ti jep hapësirë opozitës në Maqedoni të kritikojë se qeveria nuk po arrin t’i fillojë negociatat, respektivisht se është duke zhvilluar politika të pasuksesshme, për çka janë të nevojshme zgjedhje të reja në Maqedoni.  /Biljana Georgievska/