close

MAQEDONI: NDIKIMI RUS PËRSHPEJTOI PROCESIN E ANËTARËSIMIT NË NATO

Ushtria dhe kompatibiliteti me NATO-n


Njohës të rrethanave gjeostrategjike në Maqedoni, duke komentuar nënshkrimin e Protokollit për anëtarësim në NATO, thonë se ndikimi rus ka përshpejtuar procesin e aderimit të Maqedonisë në strukturat Veriatlantike. Ndërkaq, nga ministria e Mbrojtjes se Maqedonisë shprehen se pavarësisht monitorimit nga Brukseli ky dikaster vite me radhë është duke punuar që të jetë kompatibile me NATO-n.

Kryetari i Këshillit Veriatlantik të Maqedonisë Ismet Ramadani, duke folur për ndikimin rus në Maqedoni, shprehet se ky ndikim ka përshpejtuar procedurat për aderimin e Maqedonisë në NATO.

Ramadani shprehet se NATO nuk duhet kuptuar vetëm si forcë ushtarake, sepse, siç thotë, aty ka politikë, diplomaci, ekonomi, arsim, ekologji, që do të thotë se NATO-ja është më shumë se një organizatë ushtarake.

Pavarësisht nënshkrimit të Protokollit për anëtarësim, Maqedonia ka ende punë për të bërë dhe do të vazhdojë të jetë nën monitorimin e Brukselit – thotë Zv/ministri i Mbrojtjes Bekim Maksuti.

Maqedonia në vitin 1995 nënshkroi marrëveshjen e “Partneritetit për paqe”. Ushtria është reformuar me zbatimin e 18 planeve vjetore kombëtare për anëtarësim në NATO. Më shumë se 3000 ushtarë që nga viti 2002 marrin pjesë në misionet paqësore dhe profesionalizmi i tyre, thuhet se është një ndër faktorët se përse vendi po bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike. /Klan Maqedoni/