close

MAQEDONIA E BULLGARIA DHE GOCE DELLÇEVI

Borisov: Kompromisi për çështje historike deri në tetor


Kujt i përkasin revolucionarët historikë të fundit të shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20 edhe më tej është çështje e pazgjidhur midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ndërsa Komisionet që duhet të gjejnë kompromis kanë afat deri në muajin tetor. Kryeministri i Bullgarisë dhe ai i Maqedonisë, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev, sot bënë nderime para varrit të Goce Dellçevit në Shkup, por për mysafirin nga Sofja Dellçev mbetet bullgar që ka luftuar për lirinë e Maqedonisë.

Të gjitha çështjet në marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë vlerësohen si të mira dhe në ngritje, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes për marrëdhënie të fqinjësisë së mire, të arritur para dy vitesh, përveç kërkimit të kompromisit lidhur me përkatësinë e revolucionarëve të para një shekulli, të cilët të dyja vendet i llogarisin si pjesë e historisë së tyre. Afati që kryeministri bullgar Bojko Borisov ua dha historianëve dhe anëtarëve të tjerë të Komisioneve, të cilët punojnë për këto çështje, është deri në muajin tetor të këtij viti. Por çka nëse nuk arrrihet kompromis?

“Jo, duhet të arrihet, patjetër të arrihet kompromis, nuk duhet të kalohet tetori. Duhet të mblidhen Komisionet, të punojnë çdo ditë. Patjetër të arrihet!” –tha Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.

Do të ishte e patolerueshme, pas të gjitha përpjekjeve që i bënë Bullgaria dhe fqinjët tjerë për ta çuar përpara Maqedoninë e Veriut, siç tha Borisov, që ai në tetor të ngrejë dorën kundër vendimit të Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave me vendin. Por, krahas këtyre qëllimeve të mira nga ana e Sofjes, Borisov theksoi se në mediat maqedonase sheh “forca të jashtme që punojnë kundër Bullgarisë”.

“A nuk bëmë gjithçka që mundëm që Maqedonia e Veriut këto dy vite të jetë vazhdimisht në dritë? Çfarë ndikon që të ketë kaq smirë ndaj Bullgarisë? Çfarë të keqe kemi bërë? Është edhe në interesin tonë që të jeni në NATO. Në poligonet tona bëhen përgatitje të përbashkëta, lidhen miqësi, heronjtë tanë kanë vdekur pikërisht për këto qëllime, të jemi vëllezër dhe të kemi prosperitet.”- shprehet Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.

Problemi në të cilin “ngecën” ekspertët për tejkalimin e çështjeve të diskutueshme në librat shkollorë në të dyja vendet, është definimi i Goce Dellçevit, si revolucionar maqedonas, bullgar ose i përbashkët. Në të dyja vendet ai festohet me dekada, ndërsa shumë institucione, shkolla dhe rrugë e mbajnë emrin e tij.

“I motivojmë Komisionet e të dyja vendeve të vazhdojnë me zgjidhjen e çështjeve. Zgjodhëm katër personazhe historike të cilat bashkërisht i nderojmë, dhe besoj se do të gjendet zgjidhje edhe për personazhin historik, heroin Goce Dellçev. Goce Dellçev është personalitet, hero, që i lidhë të dy popujt. Për këtë arsye në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari vazhdojmë ta respektojmë.”- deklaron Kryeministri i RMV-së Zoran Zaev.

Borisov dhe Zaev, një ditë para Ilindenit, dita e cila gjithashtu në të dyja vendet festohet si festë shtetërore, vendosën lule në varrin e Goce Dellçevit në kishën Sveti Spas në Shkup. Eshtrat e revolucionarit, pas Luftës së Dytë Botërore, autoritetet e atëhershme bullgare u pajtuan që t’ia dorëzojnë Maqedonisë së Veriut. /Biljana Georgievska/