close

MAQEDONIA E VERIUT PARA VALËS SË TË NXEHTIT AFRIKAN

Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë


Faza paralajmëruese e portokalltë do të përfshijë pjesë të Maqedonisë së Veriut, ku vala e të nxehtit do të sjellë temperature mbi 40 gradë Celsius dhe UV indeks mjaft të lartë.Metereologët parashikojnë se vala e të nxehtit do të jetë e pranishme deri në mesin e javës së ardhshme kurse kompetentët bëjnë thirrje për vigjilencë.

Konform paralajmërimeve të metereologëve, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Shkup ka njoftuar qytetarët se ditëve në vijim pritet të mbajë mot ekstrem i nxehtë. Prej nesër e deri në mesin e javës së ardhshme, sic njoftohet, do të aktivizohet faza e verdhë për temperatura të larta, kurse në disa rajone edhe ajo e portokalltë. Pritet që temperaturat e ajrit të arrijnë mbi 40 gradë Celsius.

Kompetentët janë vënë në gjendje gatishmërie. Janë dhënë rekomandime edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, por edhe nga institucionet shëndetësore. Zjarrfikësit bëjnë thirrje për vigjilencë.

Rritja e temperaturave ka mbushur ambulancat. Mjekët apelojnë që gjatë ditëve në vijim të shmanget ekspozimi në ambiente të hapura dhe kujdes maksimal gjatë konsumimit të ushqimit.

Valët e këtilla të nxehtit tropikal nuk janë të pazakonshme për Maqedoninë e Veriut, por do të jenë më të shpeshta, kurse do të godasin rajone që viteve të kaluara kanë qenë të ralla – parashikojnë prognozat afatgjate metereologjike. Sipas një mumri të madh të hulumtimeve, kjo për shkak të pasojave nga ndryshimet klimatike dhe ngrohjes globale. /Klan Macedoni/