Nga dita e nesërme Maqedonia e Veriut pritet të përfshihet nga temperatura tejet të larta. Sipas meteorologëve, gjatë kësaj jave një valë e të nxehtit nga Afrika veriore do të shtrihet mbi Mesdhe dhe rajonin tonë, ndërkohë fusha të presionit të lartë që do të formohen mbi rajonin e Mesdheut, do të kushtëzojnë mot të nxehtë, me kthjellime dhe me intervale të gjata me diell.
Siç njoftojnë meteorologët, periudha e të nxehtit do të jetë gjatë 5 deri 10 ditëve të ardhshme ku temperaturat do të jenë nga 35, ndërsa në pjesën qendrore dhe juglindore të vendit do të jenë deri në 40 gradë. Gjatë fundjavës e deri gjatë javës së ardhshme sidomos në këto zona qendrore dhe juglindore, temperatura do të ngjiten mbi 42 gradë celsius.
Autoritetet e shëndetësisë kanë njoftuar se për shkak të temperaturave të larta dhe UV indeksit të lartë, qytetarët duhet të mbrohen dhe t’i shmangen vendeve të hapura, duhet të konsumojnë sa më shumë pije, pemë dhe perime dhe t’i shmangen ushqimeve të yndyrshme.
Po ashtu rekomandohet që qytetarët të shmangin daljet në mal dhe të organizojnë piknike për shkak të rrezikut nga zjarret. /Klan Macedoni/