close
Top LajmeVendi

MARRËVESHJA E PRESPËS: DEBAT NË DISTANCË MOSKË – ATHINË

Screenshot_1

Tensionimi i dytë i raporteve Rusi-Greqi


Moska ka bërë një tjetër ndërhyrje të ashpër pas zhvillimeve të fundit rreth marrëveshjes së Prespës. Një deklaratë e ministrisë së jashtme ruse, “godet” njëkohësisht Shkupin dhe Athinën. Deklarata nënvizon se ndryshimet kushtetuese të votuara në parlamentin maqedonas “janë imponuar nga jashtë dhe nuk shprehin vullnetin e popullit”. Po ashtu, edhe Athina kritikohet se ka injoruar opinionin e popullit grek që e kundërshton këtë marrëveshje.

Deklarata i referohet edhe largimit të Panos Kammenos nga koalicioni qeveritar dhe procesit të votëbesimit për qeverinë Tsipras. Me tone gjithashtu të ashpra ka qenë përgjigjja e ministrisë së jashtme greke. Në reagimin e Athinës shprehet “shqetësimi i përligjur” që deklarata ruse nuk merr parasysh funksionimin demokratik të institucioneve në Greqi, i cili funksionim “nuk përbën terren të përshtatshëm për komente nga palë të treta”.

Gjithashtu Athina nënvizon se deklarata e Ministrisë së Jashtme ruse “nuk i shkon për shtat nivelit që karakterizon marrëdhëniet Greqi-Rusi dhe lidhjeve shekullore të miqësisë midis të dy popujve”. Ky është tensionimi i dytë në raportet Athinë – Moskë, që nga vera e kaluar. Atëherë Greqia dëboi dy diplomatë rusë, të cilët u akuzuan se po përpiqeshin të korruptonin zyrtarë lokalë, klerikë ortodoksë dhe qytetarë, me qëllim që ata të zhvillonin protesta kundër marrëveshjes së Prespës. /Robert Goro, Athinë/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia