close

MARRËVESHJA E PRESPËS: PUTIN-PRESION I JASHTËM NDAJ MAQEDONISË

Qeveria e RM-së nuk komenton intervistën


Presidenti rus Vladimir Putin vlerëson se SHBA-të dhe disa vende tjera perëndimore me forcë dëshirojnë t’i fusin në NATO Maqedoninë dhe vendet tjera të rajonit që të realizojnë dominimin dhe se me këtë destabilizojnë jo vetëm këto shtete, por edhe gjithë rajonin.

Ai në intervistën për gazetat serbe “Veçernje Novosti” dhe “Politika”, në prag të vizitës në Serbi, deklaroi se Maqedonia, njëjtë sikurse Mali i Zi më herët, me forcë po futen në Aleancë, në kundërshtim me vullnetin e popullit.

“Vitin e kaluar, madje edhe filloi procesi i miratimit të amendamenteve kushtetuese dhe riemërimi i këtij shteti, revidimi i themeleve të identitetit kombëtar maqedonas për futjen me forcë të Maqedonisë në NATO. Ishte injoruar vullneti i votuesve, referendumi nuk kishte sukses, por presioni i jashtëm vazhdoi” – thotë presidenti rus Putin në këtë intervistë ku përmend miqtë ballkanik të Rusisë, pa përmendur Maqedoninë në këtë kontekst, edhepse thotë se Rusia edhe mëtej do t`i përkrah lidhjet miqësore të Ballkanit.

Zëdhënësi i qeverisë Muhamed Hoxha i pyetur për të komentuar intervistën e Presidentit rus për mediat serbe, ka theksuar se Qeveria e Maqedonisë nuk komenton intervista të burrështetasve të huaj.

“Ne nuk komentojmë intervista të personaliteteve ngase Qeveria e RM-së është e përkushtuar në qëllimin e saj, anëtarësimin në NATO DHE be. Me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, kurse presim që ai të ratifikohet edhe në parlamentin grek, Maqedonia do ta realizojë atë që tashmë e ka në planin e saj, rruga drejt NATO-s dhe BE-së.” shprehet Zëdhënësi i qeverisë Muhamed Hoxha.

Ndërkaq rreth kësaj çështjeje ka pasur reagime edhe nga diplomacia ruse. Ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov ka deklaruar se Moska nuk është kundër emrit të ri të Maqedonisë, por ka dyshim rreth legjitimitetit të tërë procesit. /Klan Maqedoni/